Ish-mbreti i Spanjës, historia e tij e dashurisë dhe gjuetia e elefantëve (FOTO)

22/08/2020 10:26

Në fillim të gushtit, ish-mbreti i Spanjës Juan Carlos, u largua nga vendi pas akuzave për korrupsion dhe u raportua se ka udhëtuar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.

Vendimi i 82-vjeçarit për të hequr dorë nga froni erdhi pas një hetimi për korrupsion në të cilin u përfshi bashkëshorti i vajzës së tij dhe një udhëtim i polemizuar për gjueti elefantësh në të cilin monarku kishte marrë pjesë gjatë krizës financiare në Spanjë në vitin 2012.

Ish-e dashura e tij, Corinna zu Sayn- Wittgenstein ka folur ekskluzivisht për BBC-në dhe ka treguar për një dhuratë shumë milionëshe nga Juan, për pretendimet e saj për disa ngacmime nga Shërbimi Sekret i Spanjës dhe për elefantin.

Corinna nuk ka dëshiruar të flasë shumë për elefantin, por thuhet se ish-mbreti e ka qëlluar për vdekje më 11 prill të 2012-s, ku mediat raportonin se kafsha ishte 50 vjeç dhe se peshonte 5 tonë.
“E pashë më pas, pasi të gjithë shkuan që ta shikonin atë”, tha ajo, duke shtuar: “Unë u largova pas dy minutave. Jam një gjahtare, por kurrë në jetën time nuk kam vrarë një elefant dhe kurrë nuk do ta bëja. Për mua, e gjithë përvoja e gjuetisë ishte traumatike”.

Safari në Botswana ishte një dhuratë nga mbreti për djalin e saj për ditëlindjen e 10. Juan Carlos ishte afruar shumë me fëmijët e Sayn-Wittgenstein gjatë lidhjes së tyre romantike nga viti 2004 deri në 2009-n, marrëdhënie për të cilën publiku spanjoll nuk dinte asgjë në atë kohë.

Corinna ka treguar se nuk donte të shkonte në këtë udhëtim, pasi e kuptoi se mbreti po përpiqej që ta detyronte atë që të kthehej tek ai dhe ajo nuk donte që të jepte një përshtypje të rreme.

Ndërkohë më 13 prill të 2012-s, mbreti ra në çandrën e tij luksoze në safari duke thyer vithet. Pas kthimit të tij në Madrid, media nisi të tregonte për historinë në safari si një luan i pangopur në një gazelë të brishtë.

Ndërkohë zbulimi i gjuetisë së elefantëve erdhi shumë shpejt, pasi nisi një hetim korrupsioni për dhëndrin e mbretit, Inaki Urdangarin, i cili është ende në burg.

Kjo ishte me të vërtetë një kohë e vështirë për Spanjën, me papunësinë që shkonte në 23 për qind. Pasi iu nënshtrua një operacioni, Juan Carlos bëri paraqitjen e tij të parë në publik në spital, duke përdorur një shkop.

Kur u pyet se si ishte, ai u shpreh: “Më vjen keq. Bëra një gabim dhe nuk do të ndodhë më”. Mbreti kishte qenë kryesisht i paprekshëm për shkak të vendit të tij në historinë e torturave dhe të përgjakshme të Spanjës.

Si kreu i shtetit pas vdekjes së Francisco Franco në 1975, mbreti kishte mbikëqyrur kalimin e Spanjës nga diktatura në demokraci dhe u përball me një përpjekje për grusht shteti në 1981. Tani dëmi për monarkun popullor ishte i madh.

Historia e dashurisë

Mbreti Juan Carlos dhe zu Sayn Wittgenstein u takuan gjatë një feste në shkurt të vitit 2004. Ajo ka treguar se lidhja e tyre ka ecur me hapa të ngadaltë.

“Përfunduam duke folur  në telefon për disa muaj. Takimi i parë ishte në verë. Kemi qeshur shumë. Kishim shumë gjëra të përbashkëta dhe interesa të përbashkëta si poltika, historia, vera, ushqimet… Në atë kohë jetoja në Londër dhe kisha nisur biznesin tim. Isha gjithashtu edhe nënë beqare me dy fëmijë”, ka treguar ajo.

“Viti i parë i lidhjes ishte shumë i vështirë pasi isha shumë e zënë, por ai më telefononte 10 herë në ditë. Dua të them ishte një lidhje e fortë që në fillim”, ka shtuar Sayn-Wittgenstein.  Ndërsa fundi i lidhjes së tyre erdhi në vitin 2009.

“Babai im vuante nga kanceri i pankreasit dhe i ishin dhënë vetëm disa muaj për të jetuar,” thotë zu Sayn-Wittgenstein. “Kështu që vendosa të kaloj kohë me të – ne ishim shumë afër. Tronditja ime e madhe erdhi menjëherë pas funeralit të tij, kur mbreti më tha që do të mbante marrëdhënien me një grua tjetër për një periudhë tre vjeçare”, ka shtuar Corinna.

“Kjo më shkatërroi – ishte gjëja e fundit që prisja. Kisha me të vërtetë nevojë për mbështetje emocionale pas vdekjes së babait tim. Thjesht nuk e prisja një gjë të tillë pasi më kishte kërkuar që të martohesha me të dhe kishte takuar babanë tim. Për disa muaj kam qenë shumë keq”, ka treguar ajo.

Por edhe pse marrëdhënia e tyre romantike kishte përfunduar, ata kishin mbetur pjesërisht miq, pasi mbreti ishte afruar shumë me dy fëmijët e saj. E pikërisht në fund të vitit 2009, Juan Carlos kërkoi ta shikonte.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel