Erdogan e bën sërish/ Kthen një tjetër kishë në xhami

22/08/2020 14:52

Rexhep Taip Erdogan urdhëroi që kisha bizantine e Shën Sotirit dhe e Horës të rifillojnë të funksionojë si xhami. Kjo ndërtesë e shenjtë, rrënjët e së cilës datojnë në shekullin e gjashtë dhe u rindërtua në formën e sotme në shekullin e njëmbëdhjetë, është me famë botërore për mozaikët dhe afresket e saj.

Pas pushtimit të Kostandinopojës, Stambollit të sotëm, osmanët e kthyen atë në vitin 1511 në xhami dhe i mbuluan afresket murale të krishtera me gëlqere dhe me blozë. Afresket e kishës bizantine të Shën Sotirit dhe Horës u restauruan pas Luftës së Dytë Botërore si pjesë e një programi të gjerë restaurimi pasi kjo ndërtesë u shpall nga shteti si muze. Në vitin 2019 Gjykata Supreme e Turqisë miratoi ri shndërrimin e saj në xhami.

Në fund të korrikut u rihap si xhami Shën Sofia – e cila ishte dikur kisha më e madhe e krishterimit. Shën Sofia funksiononte si muze që prej vitit 1934. Ky hap u shoqërua me zemërim ndërkombëtar. Kritika të rënda erdhën nga Greqia dhe Kisha Ortodokse Greke në veçanti, por edhe nga BE, SHBA dhe Rusia.

Para rikonvertimit të Shën Sofisë në xhami, Ankaraja kishte premtuar se mozaikët dhe afresket e krishtera do të mbuloheshin vetëm gjatë orareve të faljeve islame dhe se vizitorët do të kenë mundësinë t’i vizitojnë ato në kohën mes faljeve. Por këtë javë u njoftua se veprat e artit po mbahen vazhdimisht të mbuluara me coha të bardha.

Top Channel