Bjellorusi/ Kandidatja opozitare bën ankesë kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale

22/08/2020 03:58

Kandidatja opozitare në Bjellorusi, Svyatlana Tsikhanouskaya ka bërë ankesë zyrtare kundër zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, duke thënë se mbështetësit e saj nuk do ta pranojnë më kurrë udhëheqësinë e presidentit, Alyaksandr Lukashenka. Protestat dhe grevat kanë shpërthyer në Bjellorusi tash e 13 ditë me radhë, duke kundërshtuar ato që shumica i konsiderojnë zgjedhje presidenciale “të manipuluara” në të cilat Lukashenka ka fituar më shumë se 80 për qind të votave.

Kjo situatë përbën krizën më të thellë për presidentin bjellorus, që ka 26 vjet në pushtet. “Duhet t’i bëhet e qartë presidentit se ka nevojë për ndryshim. Shpresoj se do të triumfojë qëllimi i mirë dhe që njerëzit do të dëgjohen e do të ketë zgjedhje të reja”, ka thënën Tsikhanouskaya më 21 gusht.

Kjo ka qenë konferenca e saj e parë për media prej kur ajo ka ikur në Lituani një javë më parë, për shkak të pakënaqësive të shprehura për rezultatin zgjedhor. Megjithatë, Tsikhanouskaya u ka thënë gazetarëve se planifikon të kthehet në shtëpi “kur të ndihet e sigurt atje”. Avokati i saj Maksim Znak ka nisur ankesën në Gjykatën Supreme të Bjellorusisë, duke kërkuar që të shpallen të pavlefshme zgjedhjet e 9 gushtit.

“Ankesa është dorëzuar. Vendimi se kur duhet nisur procedurat pritet brenda disa ditësh”, ka thënë Znak, anëtar i Këshillit opozitar për Koordinim. Lukashenka në anën tjetër vazhdon të jetë mospërfillës ndaj protestave në rrugë, si dhe kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Bashkimi Evropian ka thënë të mërkurën se nuk do të njohë rezultatet e zgjedhjeve në Bjellorusi dhe do të vendosë sanksione ndaj personave të përfshirë në mashtrimet zgjedhore si dhe në shtypje të protestave.

Top Channel