Bie avioni që transportonte para, banorët nxitojnë të mbledhin kartmonedhat në rrënoja

22/08/2020 16:08

Një avion transporti i ngarkuar me ushqim, motoçikleta dhe para është rrëzuar sot pak pas ngritjes nga aeroporti i kryeqytetit të Sudanit të Jugut, Juba. Dëshmitarët thonin se kishin parë disa viktima mes rrënojave.

Avioni i tipit Antonov An-26 po fluturonte drejt qytetit të Aweil në veriperëndim të vendit. Fotot dhe videot nga vendngjarja tregonin tymin që ngrihej nga copat e trupit të shkatërruar të mjetit.

Drejtori i aeroportit të Juba, Kur Kuol Ajieu tha për mediat se tetë njerëz ishin në bordin e avionit por nuk dihet numri i saktë i viktimave. Dëshmitarët thonin se kishin parë gjashtë trupa ndërsa një person ishte dërguar për në spital. Të tjera agjenci thonin se deri në 17 njerëz mund të jenë vrarë në aksident.

Aijeu tha se avioni transportonte motoçikleta e ushqime, si dhe para për të paguar rrogat një organizate jo-qeveritare. Një dëshmitar në vendngjarje tha se njerëzit kishin nxitur të mblidhnin paratë e përhapura mes rrënojave të avionit.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel