Kreu i opozitës, Lulzim Basha me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka hedhur akuza të tjera ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Sipas Bashës në 7 vite, qeveria Rama e ka taksuar punën dhe dijen më shumë se çdo qeveri tjetër më parë. Barra më e rëndë e këtyre taksave ka rënë mbi shtresën e mesme.
“Sot të gjithë e shohim se taksa progresive e Ramës ka dështuar dhe ka prodhuar vetëm kaos, pandershmëri dhe padrejtësi. Ajo është kritikuar fort edhe nga organizatat ndërkombëtare si FMN” shkruan Basha.
Më tej lideri opozitar shprehet se shqiptarët paguajnë më shumë taksa, ndërsa Rama i përdor ato për të bërë më shumë PPP me klientët e tij.
Reagimi i plotë i Bashës:
Në këto 7 vite, qeveria Rama e ka taksuar punën dhe dijen më shumë se çdo qeveri tjetër më parë. Barra më e rëndë e këtyre taksave ka rënë mbi shtresën e mesme.
Sot të gjithë e shohim se taksa progresive e Ramës ka dështuar dhe ka prodhuar vetëm kaos, pandershmëri dhe padrejtësi. Ajo është kritikuar fort edhe nga organizatat ndërkombëtare si FMN.
Çdo ditë që kalon shqiptarët paguajnë më shumë taksa, ndërsa Rama i përdor ato për të bërë më shumë PPP me klientët e tij. Si pasojë e këtij keqmenaxhimi dhe kësaj arrogance, Shqipëria zhytet në varfëri, njerëzit humbin vendet e punës dhe kriza ekonomike thellohet.
Rama e ka futur dorën thellë në xhepin e çdo qytetari. Ai nuk mendon për njerëzit, por vetëm për nje grusht klientësh dhe oligarkësh dhe e ka vënë shtetin dhe cdo politikë fiskale në shërbim të tyre duke i lënë qytetarët në mëshirën e fatit.
Vendit i duhet një ndryshim i madh dhe rrënjësor! Politika jonë fiskale është pjesë e Planit Ekonomik për ti kthyer frymëmarrjen vendit dhe ekonomisë së njerëzve: më shumë të ardhura në xhepat e tyre dhe më pak taksa. Ne do ti eliminojmë nivelet e shumta të taksave mbi punën, do ti heqim pengesat që vetëm frenojnë zhvillimin dhe do të thjeshtojme të gjithë sistemin.
Ne besojmë se më shumë para në duart e qytetarëve do të nxisin investimin në arsimim dhe kualifikim dhe do ti japin frymë rritjes ekonomike. Politika jonë fiskale ka në bazë taksën e sheshtë 9% për qytetarët dhe të punësuarit, taksa më e thjeshtë dhe më e ulët në të gjitha vendet e rajonit.
Mirëqenia e shtresës së mesme, e atyre që punojnë dhe prodhojnë, është jetike për rimëkëmbjen e gjithë ekonomisë shqiptare. Vetëm një qeveri serioze që kujdeset për njerëzit do ta vendosë shtetin dhe politikbërjen në funksion të rritjes së të ardhurave të gjithësecilit dhe jo të një grushti njerëzish! Shqipëria e ka potencialin të ofrojë mirëqenie dhe siguri për të gjithë qytetarët e saj. #ditemetemira
Top Channel