Presidenti serb Aleksandar Vuçiç thotë se takimi mes Kosovës dhe Serbisë, i planifikuar të mbahet në 2 shtator në Washington të Shteteve të Bashkuara, mund të shtyhet.

Asgjë nuk është vendosur ende sipas tij, por ka shenja se mund të ndodhë një shtyrje prej dy ditësh, “ose diçka e tillë”.  Vuçiç sërish përsëriti se nuk e di çfarë temash do të hapin mikpritësit, përveç asaj të ekonomisë, për të cilën janë informuar tashmë.

“Unë do të doja që të ishin vetëm tema ekonomike, nuk e di nëse do të paraqiten tema tjera, pasi për dialogun politik dhe çështjen e statusit është përgjegjës Bashkimi Evropian, por nuk e përjashtojmë mundësinë e ndonjë befasie”, u shpreh ai nga Batajnica, ku mori pjesë në një stërvitje të njësive të Forcave Ajrore të Ushtrisë Serbe.

Qeveria e Kosovës ndërkohë thotë se nuk ka informacione nëse takimi do të shtyhet. Xhavit Beqiri, këshilltar për media i kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, i cili pritet të takohet në Uashington me presidentin serb, tha për REL se “ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për mundësinë e shtyrjes së takimit”. Vuçiç nga ana tjetër këmbënguli se në asnjë rrethanë nuk ka mundësi që në Washington të nënshkruhet njohja e Kosovës.

Top Channel