Kina nuk raporton asnjë rast të ri të infeksionit brenda vendit

21/08/2020 19:41

Kina nuk po raporton asnjë rast të ri të infeksionit brenda vendit, por vetëm raste të izoluara nga personat që kthehen nga jashtë. Situata e mirë epidemiologjike në vend ka bërë që të hiqet detyrimi për maskat në rrugët e kryeqytetit.

Autoritetet e shëndetësisë në kryeqytetin kinez nuk do aplikojnë më detyrimin për mbajtjen e maskave në ambientet e jashtme.

Pasi u pezullua si masë në muajin prill, rregulli u rikthye në qershor me përhapjen e vatrave të reja në pikat tregtare të qytetit.

Por prej gati dy javësh, Pekini nuk raportuar asnjë person të ri bartës të koronavirusit ndërsa infeksioni lokal është arritur të kontrollohet.

Politika e maskave, vetëkarantinimi në shtëpi i personave me simptoma dhe pjesëmarrja në testime masive, sipas ekspertëve, janë faktorët kyç që e kanë përmirësuar situatën.

Të premten, pavarësisht lehtësimit të kufizimeve, një pjesë e madhe e këmbësorëve në Pekin treguan se do vazhdojnë të mbajnë maskat, shpeshherë edhe pres trysnisë shoqërore.

“Se kur do ta heq maskën, nuk e them dot, por në zonat publike me shumë njerëz përqark, maskën do e mbaj sepse më jep njëfarë sigurie.”

“Unë mendoj se mund ta heq maskën në çdo kohë, por do shoh a e pranojnë të tjerët. Sepse kam frikë se njerëzit do frikësoheshin po të më shihnin pa maskë.”

“Tani maska është normë për këdo. Kur dalim me fëmijët në park, mund ta heqim, por në markete, në autobusë, maskat duhen mbajtur, edhe pse pandemia është drejt fundit.”

Kina të premten raportoi 22 raste të reja me kovidin-19, të gjitha të importuara nga jashtë ndërkohë që vendi u ka mbyllur kufijtë shumicës së shtetasve të huaj.

Në total, rreth 80 mijë persona e kanë mundur sëmundjen vdekjeprurëse, ndërsa të paktën 4,600 veta nuk i kanë mbijetuar infeksionit që u përhap fundvitin e kaluar nga qyteti i Uhanit.

Vendi nuk po lë pas as përpjekjet për zhvillimin e një vaksine që do i jepte realisht zgjidhje situatës.

Faza e tretë dhe e fundit e testimit te njerëzit në botë nisi të enjten me Perunë.

“Vaksinat përdoren për qëllime parandalimi nga njerëzit e shëndetshëm. Vaksinat kineze do të jenë në dispozicionin për publiku e gjerë në mbarë botën dhe jo shumë të kushtueshme. Dy injeksione në harkun e 28 ditëve do të jepnin efektin më të mirë, për sa i përket shtimit të shpejtë të antitrupave në organizëm,” tregojnë shkencëtarët kinezë, teksa përgatiten për prodhimin e rreth 200 milionë dozave çdo vit.

Top Channel