Helm në filxhanin e çajit? Armiku i Putinit në koma! E kërkon Gjermania, por Rusia s’e lëshon

21/08/2020 11:49

Gjermania nisi një avion-ambulancë për të marrë në Berlin nga Siberia liderin opozitar rus, Alexei Navalny, i cili është në gjendje kome pas helmimit një ditë më parë.

Por rusët nuk e lëshojnë. Mjekët vendas kanë dalë në përfundimin se gjendja e tij është tepër e rëndë dhe 44-vjeçari nuk duhet lëvizur nga shtrati i spitalit. Zëdhënësja e tij Kira Yarmysh e quajti këtë vendim të mjekëve  “një tentativë të hapur ndaj jetës së kreut të opozitës”. Ekipi i Navalny-t dyshon se atij i është hedhur një substancë toksike në filxhanin e çajit që piu në aeroport.

Navalny u ndje keq gjatë fluturimit drejt Moskës nga qyteti i Tomskut në Siberi dhe avioni paskësaj u detyrua të bënte ulje emergjente.

“Ne supozojmë se Aleksei ishte helmuar me diçka të përzier në çajin e tij. Ishte e vetmja gjë që ai piu në mëngjes. Mjekët thonë se helmi ishte tretur më shpejt për shkak të lëngut të nxehtë”, u shpreh ajo.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi pronarët e kafenesë të thoshin se po kontrollojnë kamerat e sigurisë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Zëdhënësja Yarmysh bëri një krahasim të ngjarjes me një incident vitin e kaluar në të cilën Navalny pësoi një reaksion akut alergjik për të cilin një mjek tha se mund të kishte rezultuar nga helmimi me një kimikat të panjohur.

Spitali Charite i Berlinit është i gatshëm ta trajtojë kritikun e ashpër të Vladimir Putinit dhe shpresat ishin që Rusia ta lejonte largimin e tij.

Top Channel