Fondi për Teknologjinë e Hapur padit USAGM për shkelje kontrate

21/08/2020 22:43

Në SHBA, Fondi i Teknologjisë së Hapur (OTF), një organizatë që përdor grante federale për të promovuar teknologjitë e lirisë së internetit në të gjithë botën, ngriti padi të enjten vonë kundër Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM), me pretendimin se Agjencia ka shkelur kontratat, duke pezulluar financimin prej 18 milionë dollarësh për Fondin.

Padia e paraqitur në Gjykatën e SHBA për Ankimet Federale, i kërkon gjykatës që t’i akordojë Fondit të Teknologjisë së Hapur shumat që thotë se i takojnë. USAGM është agjencia që mes të tjerash ka nën mbikqyrje edhe Zërin e Amerikës.

“Ne në fakt e shohim këtë si mjetin e fundit që na ka mbetur,” tha Laura Cunningham, shefe ekzekutive dhe presidente e përkohshme e OTF. “Ne kemi provuar mënyra të shumta që USAGM të na zhbllokojë fondet në mënyrë që të mund të rifillojmë operacionet. Si rrjedhojë, nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të ndërmarrin veprime ligjore.”

Një zëdhënës i USAGM nuk iu përgjigj kërkesës për koment rreth padisë deri në kohën e publikimit të këtij shkrimi.

Të enjten, një zëdhënës i USAGM tha se agjencia “ka dhënë këtë vit 10.9 milionë dollarë fonde të taksapaguesve amerikanë për OTF, përfshirë 1.6 milionë dollarë në korrik. Duke pasur parasysh këtë, USAGM është e habitur dhe thellësisht e shqetësuar kur mësoi se OTF ka vendosur të anulojë ose të ngrijë dhjetëra kontrata.”

NJË BETEJË QË VAZHDON

Padia gjyqësore është një tjetër zhvillim në betejën që vazhdon prej një muaji midis OTF, një organizatë e pavarur jofitimprurëse dhe USAGM, një agjenci federale me misionin për të “informuar, angazhuar dhe lidhur me njëri-tjetrin njerëzit në të gjithë botën në mbështetje të lirisë dhe demokracisë.”

Çështja është se a mundet që USAGM, nën shefin e saj të ri ekzekutiv Michael Pack, të kontrollojë OTF, të vendosë se kush e drejton organizatën, se si i shpenzon paratë dhe nëse do të marrë ose jo fonde.

Të martën, OTF mori një letër me email nga USAGM, ku sipas padisë, organizatës i jepeshin 10 ditë afat për të zbatuar kontratat, pas një serie letrash të dërguara nga USAGM me kërkesa për dokumente.

Udhëheqja e OTF e shikon afatin 10-ditor si një kërcënim për ndërprerjen e kontratës që do të nënkuptonte mbylljen e organizatës dhe të projekteve të saj.

DEPOZITA PREJ 1,6 MILIONË DOLLARËSH

Të mërkurën, drejtuesit e OTF panë një depozitë prej 1,6 milion dollarësh në llogarinë bankare të organizatës.

Të enjten, ligjvënësi Michael McCaul, republikani kryesor në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Punë të Jashtme, përmendi në Twitter shifrën 1,6 milionë dollarëshe, duke thënë se paratë u depozituan, pasi republikanët dhe demokratët shprehën “shqetësim serioz” rreth vonesës së fondeve për korrikun.

“USAGM & Pack duhet të bëjnë një rrugë të gjatë për të rifituar besimin tonë, dhe hapi i parë është transferimi i menjëhershëm i fondeve në OTF për muajin gusht,” tha ai në Twitter.

PROJEKTE PËR LIRINË E INTERNETIT

E themeluar në vitin 2012 nën suazën e Radios Azia e Lirë, një tjetër entitet i USAGM, OTF u bë organizatë jofitimprurëse e USAGM në nëntor të vitit 2019. Buxheti i saj për vitin fiskal 2020 është 20 milionë dollarë, plus 9,8 milionë që USAGM i kishte dhënë OTF, por që ishin mbajtur nga Radio Azia e Lirë, sipas padisë.

Kur zoti Pack erdhi në krye të USAGM pas marrjes së konfirmimit të Senatit, ai u përpoq të sjellë drejtues të rinj në OTF. Në muajin korrik, një gjykatë apeli i bllokoi ndryshimet e stafit.

Në fillim të kësaj jave, USAGM njoftoi se do të rihapë Zyrën e saj për Lirinë e Internetit dhe se do të jepte dy grante për firma që merren me teknologji, të cilat u japin mundësi njerëzve të kenë qasje në internet edhe kur qeveritë e tyre ua bllokojnë atë. Të dyja firmat kishin kontrata me OTF.

“OTF është e detyruar të shpenzojë para që i caktohen asaj për lirinë e internetit,” tha të enjten një zëdhënës i USAGM./VOA/

Top Channel