E rëndë në Suedi/ Nivel rekord vdekjesh në 150 vjet

21/08/2020 02:08

Suedia shënoi nivelin më të lartë të vdekjeve në 150 vjet për gjysmën e parë të 2020-tës, sipas zyrës vendase të statistikave. Nga janari deri në qershor të këtij viti, 51,405 vdekje u regjistruan në këtë shtet, që do të thotë 15% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ky është numri më i madh i jetëve të humbura në Suedi gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit që prej 1869-tës, kur vendin e pllakosi uria dhe vdiqën më shumë se 55.400 vetë. Zyrtarët e pranojnë se kjo situatë është prej koronavirusit.

Suedia ndoqi një rrugë të ndryshme nga shumica e vendeve të tjera europiane që morën masa të rrepta izoluese për shkak të pandemisë. Ajo më shumë u mbështet tek masat vullnetare dhe distancimi social, dhe zgjodhi ta shmangte karantinën.

Pjesa dërrmuese e shkollave mbetën të hapura dhe mjaft biznese vazhduan aktivitetin, ç’ka ndihmoi nga ana tjetër që ekonomia e saj të mos goditej as shumë. Por bilanci i vdekjeve nga ana tjetër ishte më i lartë se i fqinjëve të tjerë nordikë si Norvegjia që e vendosi shpejt karantinën.

Top Channel