“Shmangni pushimet jashtë vendit”/ Koronavirusi, Hungaria do të ashpërsojë masat

20/08/2020 12:13

Hungaria është duke këshilluar qytetarët e saj që të shmangin pushimet jashtë shtetit nga fillimi i muajit të ardhshëm dhe është duke planifikuar të ashpërsojë masat e kufizimit për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus në Evropë, deklaroi Gergely Gulyas, shefi i stafit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Gulyas tha se qeveria dëshiron të sigurojë nisje të sigurt të procesit mësimor nga 1 shtatori dhe do të vendosë për hapat e mëtejmë javën e ardhshme.

“Situata në Evropë është duke u përkeqësuar ose në variantin më të mirë ka ngecur në vend në disa shtete”, ka deklaruar Gulyas në një konferencë për shtyp.

“Nuk është i mundshëm lehtësimi i masave aktuale të kufizimit. Marrë parasysh se numri i rasteve të infektimit është duke u rritur në disa shtete, rregulla më ashpra do të jenë të nevojshme”.

Sipas rregullave aktuale, personat që kthehen nga vendet me shifra të larta të të infektuarve duhet t’i nënshtrohen karantinës për 14 ditë, përveç nëse kanë dy teste negative për koronavirus. Deri të mërkurën, Hungaria ka raportuar 609 të vdekur dhe për 5,002 të infektuar me Covid-19.

 

Top Channel