Italia në udhëkryq/ Rritet frika për valën e dytë të Covid-19

20/08/2020 00:54

U desh vetëm një fundjavë për ta kthyer Italinë tre muaj prapa në përballjen e saj me pandeminë. Rritja e shpejtë e rasteve të koronavirusit, javën e shkuar, rrezikon të zhbëjë progresin e arritur nga i pari vend evropian që u bllokua nga Covid-19 dhe të shtyjë hapjen e shkollave të planifikuar për në shtator.

Alarmi u lëshua të shtunën e kaluar, kur Italia regjistroi 629 raste të reja në 24 orë, 500 ndërkohë ishin një ditë më parë. Shifra të tilla, të regjistruara njëra pas tjetrës, nuk ishin parë që nga maji kur Italia me kujdes doli nga një prej izolimeve më të gjata në botë, pas më shumë se 30 mijë viktimave të koronavirusit.

Tani, në qendër të vëmendjes është rihapja e shkollave. Skenarë të shumtë dhe protokolle janë hartuar. Po merren në konsideratë të gjitha mundësitë. Për fëmijët që do të kthehen në klasa, të gjithë ata mbi gjashtë vjeç, do të jenë të detyruar të mbajnë maska. Do të mund ti heqin ato vetëm në rastet kur merren në pyetje.

Nga 7 shtatori ndërkohë do të fillojë shpërndarja në të gjitha shkollat e Italisë e bankave të reja, një vendëshe. Ajo që autoritetet përsërisin pa pushim është domosdoshmëria e distancimit, maskës dhe higjenës. Është e sigurt sipas tyre që do të ketë raste pozitive në shkolla. Nëse do të verifikohet një rast nuk do të shkohet në mbyllje të shkollës por do të ekzaminohet rasti e nëse do të jetë e nevojshme do të vihet në karantinë një klasë apo edhe e gjithë shkolla.

“Ne duhet të rihapim shkollat dhe nuk mund t’i lejojmë vetes asnjë gabim” tha ministri italian i shëndetësisë. Fundi i kësaj sage nuk ka ardhur ende. Varet nga sjellja jonë dhe ne duhet të jemi të gjithë vigjilentë.

Top Channel