Studimi i fundit/ Miliona tonë copëza plastike po lundrojnë në Oqeanin Atlantik

19/08/2020 10:18

Ka rreth 12-21 milionë tonë copëza plastike që lundrojnë në Oqeanin Atlantik sipas shkencëtarëve.

Një studim i realizuar nga Qendra Kombëtare e Oqeanografisë në Mbretërinë e Bashkuar, tregoi se një sasi e tillë plastike do të ishte e mjaftueshme për të ngarkuar plotësisht pothuajse 1.000 anije. Përfundimet e këtij studimi janë botuar në revistën Nature Communications.

Katsia Pabortsava, nga Qendra Kombëtare e Oqeanografisë, e cila është dhe drejtuesja e studimit, u shpreh se “ngarkesa e plastikës në të gjithë Atlantikun” është “shumë më e madhe” se të dhënat e mëparshme. Kjo për shkak se më parë nuk ishte kontrolluar për pjesëza të imëta plastike në oqean.

Në ekspeditën e tyre – të nisur nga Mbretëria e Bashkuar e deri në Ishujt Falkland – Pabortsava dhe kolegët e saj zbuluan deri në 7,000 grimca për metër kub ujë të detit. Shpresat janë që këto informacione të përftuara të ndihmojnë përpjekjet e ardhshme për të matur dëmin ekologjik dhe mjedisor që mund të shkaktohet nga këto copëza plastike.Grupet për mbrojtjen e mjedisit thonë se për shkak të pandemisë, maskat e fytyrës tani janë bërë sot një nga artikujt më të zakonshëm të mbeturinave plastike, madje edhe më shumë sesa qeset.

Top Channel