Nga anon Bjellorusia/ Luhatjet mes perëndimit dhe Moskës

19/08/2020 14:38

Në Bruksel diskutohet për sanksione ndaj disa figurave në Bjellorusi, megjithatë në protestat e opozitës në Minsk nuk shihen flamuj të BE-së.

Bjellorusët nuk e duan Lukashenkon, por sipas Bernd Riegert, nuk janë të gatshëm as të ndërpresin lidhjet me Rusinë.

“E kufizuar në perëndim nga vende anëtare të NATO-s, Polonia, Lituania dhe Letonia, në jug nga Ukraina dhe në lindje nga Rusia, Bjellorusia nuk është një shtet i ndërmjetëm”, thotë Gustav Gressel nga Këshilli Evropian për Çështjet e Jashtme në Bruksel, i cituar prej DW.

Sipas vlerësimit të ekspertëve, Moska nuk mbështetet tek autokrati i lëkundur i shtetit fqinj me të, Aleksandër Lukashenko, por në faktin që Bjellorusia është proruse dhe kërkon që ajo të mbetet e tillë. Riegert mendon se një ndryshim i qeverisë në Minsk nuk do ta shqetësonte Kremlinin, përsa kohë që nuk do të kishte një ndërrim drejtimi me kah nga perëndimi, drejt BE-së apo NATO-s.

E ky ndërrim kahu nuk duket në horizont. Opozita bjelloruse nuk e ka ngritur kërkesën që vendi të hyjë në Bashkimin Evropian. Ushtria ruse do të mund të futej në Bjellorusi brenda pak ditësh, megjithëse në vend nuk ka baza ushtarake ruse. Por për një ndërhyrje të tillë Kremlini nuk ka interes, mendon Gressel, i cili thotë se nuk ka vend për të hequr paralele me Ukrainën. Aty Putini pas një kthese properëndimore aneksoi Krimenë dhe lejoi luftën në lindje të vendit. Në Bjellorusi popullsia konsiderohet më shumë proruse.

Disa analistë pretendojnë madje se Rusia në zgjedhje të reja të mundshme mund të presë që të zgjidhet një pasues prorus, por më modern se Lukashenko. Si kandidat mund të jetë Viktor Babariko, të cilin Lukashenko e vuri në pranga kur ai kandidoi për postin e presidentit.

Top Channel