Mali, “fitojnë ushtarët”: Presidenti i arrestuar jep dorëheqjen dhe shpërndan parlamentin!

19/08/2020 09:42

Presidenti i Malit, Ibrahim Boubacar Keita, dhe kryeministri Boubou Cissé, janë në arrest sipas njoftimeve të krerëve ushtarakë, të cilët flasin për një grusht shteti në vend.

Televizioni shtetëror njoftoi se Keita, i cili vazhdon të jetë i ndaluar pavarësisht protestave të komunitetit ndërkombëtar, ka dhënë dorëheqjen e ka shpërndarë parlamentin.

“Nuk dua të derdhet gjak që unë të rri në pushtet”, tha ai në një fjalim të shkurtër televiziv. “Dua të falenderoj popullin e Malit për mbështetjen dhe ngrohtësinë që më ka ofruar përgjatë gjithë këtyre viteve”, shtoi ai.

Përpjekja e grushtit të shtetit filloi brenda një baze ushtarake kryesore, rreth 15 kilometra nga kryeqyteti, Bamako, të martën. Në kryeqytet të rinjtë i vunë zjarrin një ndërtesë në pronësi të qeverisë. Trazirat pasojnë thirrjet për më shumë protesta kundër presidentit. Keita fitoi një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit 2018, por ekziston zemërimi i përhapur për korrupsionin, keqmenaxhimin e ekonomisë dhe përkeqësimin e situatës së sigurisë, pasi dhuna xhihadiste dhe ndërmjet komuniteteve është në rritje.

Sot, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë diskutime urgjente për situatën në Mali, ndërsa BE dënoi “përpjekjen për grusht shteti” në Mali dhe të gjitha ndryshimet jokushtetuese”, siç tha shefi i diplomacisë së saj, Josep Borrell.

 

 

 

Top Channel