Greqia akuzohet se ka dëbuar të paktën 1,000 emigrantë duke i braktisur në det të hapur

19/08/2020 21:52

Greqia është akuzuar së fundmi se ka dëbuar emigrantët jashtë ujërave të saj territoriale duke i lënë në mëshirë të fatit në barka pa motor.

Në një raportim të ‘New York Times’ thuhet se të paktën 1,072 njerëz janë dëbuar nga vendi në këtë mënyrë që prej nisjes së pandemisë së koronavirusit.

E përditshmja amerikane thotë se ka zbuluar 31 incidente me prova nga dëshmitarë okularë si anëtarë të rojës bregdetare të Turqisë organizatat e bamirësisë së refugjatëve.

Në artikull, një grua siriane e quajtur Najma al-Khatib, ish-mësuese-50 vjeçare, detajonte sesi më 26 korrik ajo dhe 22 të tjerë, përfshi dhe fëmijë, u morën nga zyrtarë të maskuar grekë, nga një qendër refugjatësh në ishullin Rodos. Ajo tha për gazetën se më pas ishin braktisur prej tyre në një barkë shpëtimi pa motor, para se të shpëtoheshin nga roja bregdetare turke.

“Ishte çnjerëzore, unë jam larguar nga Siria prej frikës së bombardimeve, por kur ndodhi kjo, dëshiroja më mirë të kisha vdekur nga bomba”.

Zyrtarët kufitarë janë akuzuar gjithashtu për zbulimin e barkave të refugjatëve në det dhe largimin e tyre drejt Turqisë.

Zonja al-Khatib tha se ishte përpjekur të kthehej në Greqi më 6 gusht por barka e tyre ishte ndaluar pranë ishullit të Lesbos nga zyrtarët, të cilët i kishin hequr karburantin dhe i kishin kthyer drejt ujërave turke.

New York Times fliste për dy raste të tjera kur emigrantët ishin lënë në Ciplak, një ishull i pabanuar.

Greqia mohon se kryen veprime ilegale teksa zëdhënësi qeveritar Stelios Petsas thotë: “Autoritetet greke nuk përfshihen në aktivitete klandestine. Greqia ka provuar se zbaton ligjin ndërkombëtar dhe konventat, dhe këtu përfshihet dhe trajtimi i refugjatëve e emigrantëve.”

FOTO GALERI
1/4
Roja bregdetare turke prane ishullit te Rodos

Top Channel