Gjermania, Covid-19/ Shumë të infektuar erdhën nga Kosova!

19/08/2020 10:46

Në Gjermani numri i rasteve me koronavirus është rritur në javët e fundit. Të dhënat nga Instituti Robert Koch (RKI) për sëmundje infektive të mërkurën treguan se janë regjistruar edhe 1.510 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 226.914.

Instituti tha se 39% e rasteve, me gjasë janë importuar nga Kosova, Turqia dhe Kroacia, vende këto të cilat përmenden si burim i infeksionit në javët e fundit, raporton Reuters.

Ndërkohë, kreu i rregullatorit të vaksinave në Gjermani tha se disa grupe njerëzish që jetojnë në Gjermani mund të vaksinohen në fillim të vitit të ardhshëm kundër koronavirusit.

Deri më tani, sëmundja COVID-19, ka vrarë pothuajse 800,000 në të gjithë botën dhe ka dëmtuar rëndë ekonominë globale.

Klaus Cichutek, kreu i Institutit Paul Ehrlich, tha për grupin e gazetave Funke, se të dhënat nga studimet e fazes së parë dhe të dytë treguan se disa vaksina shkaktuan një përgjigje imune kundër koronavirusit.

“Nëse të dhënat nga provat e fazes së tretë tregojnë se vaksinat janë efektive dhe të sigurta, ato mund të aprovohen në fillim të vitit”, tha ai.

Top Channel