Zemërim në Brazil pas publikimit të identitetit të viktimës 10-vjeçare të përdhunimit

18/08/2020 19:16

Një valë e gjerë zemërimi ka përfshirë Brazilin pas publikimit në internet të identitetit të një fëmije 10-vjecare, viktimë e përdhunimit.

Emri i vajzës u publikua nga një aktivist anti-abort që kërkonte që ajo të mos ndërpriste shtatzaninë.

Pas postimit online, kundërshtarë të abortit u mblodhën jashtë spitalit ku vajza do të kryente procedurën.

Fëmija mbeti shtatzënë pasi ishte përdhunuar. Policia ka arrestuar një burrë të dyshuar si agresori i saj.

Çështja shkaktoi zemërim në vend dhe një gjykatë ka urdhëruar rrjetet Google, Facebook e Twitter të fshijnë detajet personale të 10-vjeçares nga faqet e tyre.

Gjykatësi Samuel Miranda Gonccalves Soares vendosi që kompanitë e internetit të heqin informacionet mbi të brenda 24 orëve ose të përballen me një gjobë prej 50,000 real në ditë ($9,000).

Brazili ka ligje strikte kundër abortit, por ato lejohen në rastet e përdhunimit, kur jeta e nënës është në rrezik ose kur fetusi ka defekte lindjeje si anencefali – gjendja e rrallë që parandalon zhvillimin e trurit dhe kafkës.

Megjithse vajza ka leje për abortin, aktivistët anti-abort kërkonin ta ndalonin duke mbajtur protesta të zhurmshme jashtë spitalit.

Top Channel