SHBA/ Pelosi, kthen ligjvënësit nga pushimet për të votuar për fondet e Shërbimit Postar

18/08/2020 03:59

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi thirri ligjvënësit të kthehen përsëri në seancë nga një pushim veror, për të votuar mbi fondet për Shërbimin Postar të Shteteve të Bashkuara, ndërsa Drejtori i ri i Përgjithshëm i Postës propozoi masa për uljen e kostove. Demokratët druhen se shkurtimi i shërbimeve ka për qëllim vonimin e shpërndarjes të fletëve të votimit me postë në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Dhoma e Përfaqësuesve do të shqyrtojë legjislacionin për të mos lejuar postën të zbatojë ato që Pelosi i quan ndryshime në “operacionet apo nivelin e shërbimeve” që ka patur në fillim të vitit 2020. “Shërbimi Postar është një nga shtyllat e demokracisë sonë, i parashikuar në Kushtetutë dhe thelbësor për ofrimin e shërbimeve kritike: shpërndarjen e recetave të mjekut, pagesat e sigurimeve shoqërore, detyrimet e taksave dhe fletëvotimet në mungesë për miliona amerikanë, përfshirë në komunitetet tona më të largëta”, tha zonja Pelosi.

Udhëheqësi demokrat në Senat, Chuck Schumer po i bën thirrje udhëheqësit të shumicës republikane, Mitch McConnell që të thërrasë Senatin për të vepruar shpejt për të frenuar atë që ai e quan “dëmi i madh” i shkaktuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Postës, Louis DeJoy në mënyrë që “njerëzit të mund të marrin në kohë çeqët e tyre, ilaçet dhe nevojat e tjera, dhe për të siguruar që zgjedhjet tona do të mbeten plotësisht të lira dhe të ndershme”.

Zonja Pelosi dhe zoti Schumer kanë thirrur zotin DeJoy dhe kreun e Shërbimit Postar Robert Duncan të dëshmojnë para Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Reformës në Dhomën e Përfaqësuesve javën e ardhshme. Presidenti Donald Trump ka pohuar pa prova se votimi me postë do të çojë në manipulime zgjedhore. Ai pranoi javën e kaluar se po vonon 25 miliardë dollarë në fonde emergjente për Shërbimin Postar për ta bërë më të vështirë votimin me postë. Ai është tërhequr qysh atëherë nga ajo deklaratë, duke thënë se do të miratojë fondet nëse demokratët miratojnë paketën e ndihmës për koronavirusin që kanë propozuar republikanët.

“Presidenti ka shprehur në mënyrë të qartë qëllimin e tij për të manipuluar Shërbimin Postar për t’u mohuar votuesve legjitimë mundësinë e votës në kërkim të rizgjedhjes së tij,” thanë zonja Pelosi dhe zoti Schumer në një deklaratë të mëparshme. “Drejtori i Përgjithshëm i Postës dhe kreu i Shërbimit Postar duhet t’i përgjigjen Kongresit dhe popullit amerikan se përse po ndërmarrin këto politika të reja të rrezikshme që kërcënojnë të heshtin zërat e miliona njerëzve, vetëm disa muaj para zgjedhjeve”.Drejtori i Përgjithshëm i Postës DeJoy është një donator i pasur republikan dhe i emëruar në këtë post nga presidenti Trump. Ai ende nuk ka deklaruar nëse do të dëshmojë. Por senatori Schumer thotë se ai duhet të shkarkohet nëse “refuzon të dalë para Kongresit”.

Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows mohoi akuzat se Presidenti Trump po përpiqet të manipulojë procesin e votimit. “Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk do të ndërhyjë në asnjë vend për votimin në mënyrë të ligjshme, qoftë tek zyra postare apo diku tjetër,” i tha zoti Meadows kanalit CNN të dielën. Por ai tha se Shtëpia e Bardhë është e shqetësuar se një mori votash me postë do të vonojnë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

“Një numër shtetesh tani po përpiqen të kuptojnë se si do të mundësojnë fletëvotimet universale me postë”, tha zoti Meadows. “Kjo është një katastrofë ku ne nuk do të dimë rezultatin e zgjedhjeve më 3 nëntor dhe mund të mos e dimë atë për muaj. Për mua kjo është problematike sepse Kushtetuta thotë se atëherë Nancy Pelosi në Dhomën e Përfaqësuesve do të zgjedhë presidentin më 20 janar”. Numri i fletëvotimeve me postë pritet të rritet këtë vit sepse votuesit mund të kenë frikë të qëndrojnë në radhë në qendrat e votimit për të votuar personalisht gjatë pandemisë.

Nëntë nga 50 shtete amerikane po planifikojnë të kryejnë votimin e tyre në nëntor pothuajse tërësisht me postë. Miliona votues në shtetet e tjera mund të marrin një fletë-votimi me postë nëse e kërkojnë një gjë të tillë. Presidenti Trump dhe zonja e parë Melania Trump tashmë kanë kërkuar fletëvotime me postë në shtetin e tyre të Floridas. Zoti Trump ka thënë se ka një ndryshim midis fletëvotimit me postë dhe fletëvotimit në mungesë që është i nevojshëm kur një votues është larg zonës së tij në ditën e zgjedhjeve.

Shumë analistë thonë se nuk ka prova që votimi me postë i jep njërës palë një avantazh ndaj tjetrës dhe thonë se bërja më e vështirë për të hedhur një fletëvotim përmes postës mund të dëmtojë vetë republikanët, të cilët kanë tendencë të jenë votues më të moshuar që mund të preferojnë të votojnë me postë sesa në person në kushtet e pandemisë.

Top Channel