Guvernatori i Venetos kundër mbylljes së diskotekave: S’e zgjidh problemin; unë duke punuar në disko, pagova shkollën!

18/08/2020 14:44

“E vështirë të mos pranosh mbylljen, sepse disa skena që kemi parë kanë qenë vërtet të papranueshme. Por të bëjmë kujdes, e të mos i demonizojmë diskotekat”; guvernatori i rajonit të Venetos në Itali, Luca Zaia e pranoi me gjysmë zëri vendimin e qeverisë italianë, që zgjodhi të ashpërsojë masat kundër koronavirusit, duke përfshirë këtu dhe mbylljen e diskotekave.

Zaia nuk është entuziast i këtij vendimi për dy arsye: e para, lidhet me dëmet që do të pësojë sektori dhe e dyta është personale: duke punuar nëpër diskoteka kur ishte i ri, ai arriti të paguante studimet e larta.

Sipas guvernatorit, është për të ardhur keq që mbërrihet në këtë pikë për shkak të papërgjegjshmërisë së disa personave, të cilët nuk mbajnë maskë e nuk respektojnë distancimit social, si edhe të vetë pronarëve që duan vetëm të mbushin lokalet e tyre. Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza e nënshkroi një ditë më parë dekretin përkatës. Urdhri do të jetë në fuqi të paktën deri në 7 shtator. Ai përfshin të gjitha diskotekat e Italisë, klubet e natës dhe diskotekat e plazhit në natyrë të hapur si dhe të gjitha eventet e tjera të kërcimit jashtë.

Qeveria urdhëroi gjithashtu mbajtjen e maskave nga ora 18:00 deri në 6 të mëngjesit në sheshet ku mblidhen shumë njerëz apo para lokaleve. Shtrëngimi i masave lidhet me faktin se edhe në Itali janë infektuar kohët e fundit me virusin SARS-CoV-2 gjithnjë e më shumë të rinj, ndërsa ditët e kaluara ka pasur shumë njoftime për festime pa respektuar masat e sigurisë.

Top Channel