Franca e bën maskën të detyrueshme në vendet e punës

18/08/2020 21:43

Qeveria franceze do ta bëjë të detyrueshme mbajtjen e maskës në shumicën e vendeve të punës. Masa pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator, dhe ka për qëllim të parandalojë përhapjen e koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Ministria e Punës në Francë, tha të martën se vendimi do të zbatohej në të gjitha hapësirat e përbashkëta, në zyra dhe fabrika, por nuk do të vlejë në zyrat ku është i pranishëm vetëm një punonjës. Autoritetet gjithashtu thanë se puna nga shtëpia do të mbetet si rekomandim i saj për punonjësit.Zyrtarët francezë kanë thënë se vendimi do të ketë edhe detaje për mjediset e veçanta të punës, siç janë depot e ngrira të ushqimit, ku maskat nuk janë praktike pasi ato mund të ngrijnë, raporton Reuters. Në Francë, mbajtja e maskës është gjithashtu e detyrueshme në të gjitha transportet publike dhe në shumicën e hapësirave publike të mbyllura, siç janë dyqanet dhe muzetë.

Franca vendosi disa nga kufizimet më të ashpra të izolimit në Evropë, në fillim të këtij viti, duke ulur në masë të madhe shkallën e të infektuarve me koronavirus. Por, në javët e kaluara numri i rasteve të reja me COVID-19 është rritur, dhe zyrtarët e shëndetit publik kanë paralajmëruar se situata mund të dalë jashtë kontrollit. Ministria e Shëndetësisë raportoi të martën për 2.238 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.

Top Channel