Rehabilitohet rruga në Kashar/ Veliaj: Do lidhë zonën me Unazën e Re

17/08/2020 14:34

Banorët e Kasharit, ku mbizotërojnë pallatet e reja të ndërtuara pas viteve 2000, do të kenë një rrugë me infrastrukturë të re, që do t’iu mundësojë lidhjen me Unazën e Madhe.

Me nisjen e punës nga Bashkia e Tiranës për rehabilitimin e rrugës “Tom Plezha”, i jepet zgjidhje përfundimtare problematikave të trashëguara në këtë zonë.

I pranishëm në inspektimin e punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputetja e PS, Blerina Gjylameti, tha se muaji gusht është koha ideale që Bashkia e Tiranës të hapë kantieret e punës, sidomos ato ku kërkohen punë voluminoze dhe mjete të rënda. “Një prej këtyre kantierëve të shumëpritur nga qytetarët, sidomos të zonës së Astirit, është rruga “Tom Plezha”, e cila ndodhet mbi zonën e Astirit dhe “Casa Italias”. Ka qenë një kalim me pengesa, një nga ato punët e shëmtuara të ish komunës në vitet e kaluara, ku vetëm është dhënë leje ndërtimi pa infrastrukturë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku sqaroi se paralelisht me investimin në infrastrukturën rrugore, po punohet me kanalizimet e ujësjellësit, çka sjell një përfitim të dyfishtë për banorët e zonës. “Me të njëjtin investim po bëjmë edhe linjën e transmetimit të Ujësjellësit, që nga e gjithë zona e Astirit deri në Yzberisht të kemi një linjë të furnizimit me ujë, për të kaluar edhe këtu në 24 orë ujë. Por, që të mos i hyjmë punëve nga dy-tre herë – pra një herë Ujësjellësi, pastaj OSHEE-ja, interneti, telefoni, pastaj asfalti apo ujërat e bardha – aksi po bëhet njëherë e mirë. Kështu shpëtojmë nga zig-zaget e rrugës “Tom Plezha””, deklaroi Veliaj.

Rruga “Tom Plezha” do të ketë dy korsi në secilën anë dhe një korsi shtesë për parkingun. Kryebashkiaku tha se do të ruhet parkingu dhe shtohen hapësirat e gjelbra në këtë segment. “Do të ruajmë parkingun, shtojmë trotuarin, shtojmë gjelbërimin dhe pastaj lëmë një rrugë ‘ekspres’, si për autobusin që të mos bëjë ato zig-zaget, tani që kemi futur edhe linjën e Kasharit, ashtu edhe për të ruajtur një sens të komunikimit, sidomos tani që e kemi një devijim nga Unaza”, sqaroi Veliaj.

Zona e Astirit njihet si një nga hapësirat urbane me rritjen më të madhe demografike në 30 vitet e fundit. “Morëm një lagje të falimentuar, siç ka qenë zona e Astirit, sot do të jetë një nga lagjet më tërheqëse. Do të ketë Unazën, nga e cila do të hyhet dhe dilet shumë herë më shpejt se më parë. E gjithë ajo zhurmë me djegie gomash dhe dhunë, me shashka dhe zjarrfikëse, ishte një vonesë e paimagjinueshme 3-vjeçare. Sot do e kishim mbaruar të gjithë Unazën, megjithatë siç thotë populli: Më mirë vonë se kurrë”, tha Veliaj.

Paralelisht me ndërhyrjet në infrastrukturë rrugore, Bashkia e Tiranës po ndërhyn në këtë zonë edhe për godinat arsimore, duke shtuar shkollat e reja. Veliaj solli në vëmendje ndërtimin e shkollës së re “Andrea Stefani”, që ndodhet në zonën ku takohet Astiri me Doganën dhe sheshin Shqiponja. “Do të fillojmë te ura e Lanës shkollën tjetër dhe besoj se me këto dy shkolla të reja kemi adresuar çështjen e shkollave 9-vjeçare në zonë. Unë e di që vitin tjetër do të kemi debate politike, por besoj se më shumë se çdo fjali e debat, flet puna”, përfundoi Veliaj.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti, kërkoi nga të gjithë banorët që të regjistrohen në Njësinë Administrative nr. 14 ose Njësinë Kashar, në mënyrë që institucionet ta kenë më të lehtë përllogaritjen e nevojave për investime. “Duam investime nga Bashkia, duam investime nga institucionet qendrore, por harrojmë një gjë kryesore, duhet të regjistrohemi në Njësinë e re 14 apo Njësinë Kashar, se vërtetë banojmë këtu, por nëse me letra nuk jemi të regjistruar, investimet e dimë që funksionojnë duke patur në vëmendje numrin e banorëve”, tha Gjylameti.

Rruga “Tom Plezha” ndodhet në Njësinë Administrative Kashar dhe Njësinë Administrative Nr.14, në pjesën perëndimore të qytetit të Tiranës. Kjo rrugë do të shërbejë për përmirësimin e jetës së komunitetit që banon në këtë zonë, duke iu mundësuar ndërlidhjen e tyre me rrugën kryesore “Teordor Keko” në Unazën e Madhe.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel