Qindra njerëz në shesh/ Madrid, protestë kundër maskave

17/08/2020 13:58

Duke thirrur “Liri”, qindra njerëz protestuan në Madrid kundër mbajtjes së detyrueshme të maskave dhe kufizimeve të tjera të ndërmarra nga qeveria spanjolle për të vënë nën kontroll pandeminë e koronavirusit.

Një turmë njerëzish që duartrokisnin dhe brohorisnin u mblodh në sheshin Colon në qendër të qytetit pas thirrjeve të bëra më herët në mediat sociale. Protestuesit mbanin banderola në të cilat shkruhej “Virusi nuk ekziston”, “maskat vrasin” dhe “Ne nuk kemi frikë”.

Protesta mblodhi pjesëmarrës të shumëllojshëm, përfshirë ata që mbështesin teoritë e konspiracionit, liberalë por edhe kundërshtarë të vaksinave. Shumë prej protestuesve nuk mbanin maska edhe pse kjo është e kërkuar me ligj në hapësirat publike në Spanjë, vend ky që ka parë një rritje infektimesh që kur u hoq izolimi tre mujor më 21 qershor.

Mbajtja e maskave fillimisht u imponua në fillim të majit, për të gjithë ata që përdornin transportin publik, dhe më pas urdhri u zgjerua në vendin ku virusi i ka marrë jetën rreth 29 mijë personave. Protesta ndërkohë vjen dy ditë pasi qeveria shpalli kufizime të reja për të ndaluar virusin, përfshirë mbylljen e diskotekave dhe ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente publike kur nuk është e mundur të ruhet distanca prej të paktën dy metrash nga të tjerët.

Top Channel