Kishim dëgjuar për Davidin e Michelangelos, por tashmë duket se do të kemi një tjetër statujë me këtë emër teksa skuadra angleze e Manchester City njoftoi sot planet për të nderuar mesfushorin magjik spanjoll David Silva me një statujë jashtë stadiumit Etihad me rastin e largimit të tij.
Silva mbylli këtë sezon rrugëtimin e tij dhjetë-vjeçar me ‘blutë’ e Manchester-it, duke fituar një total madhor prej 14 trofesh në 436 paraqitje, e duke e renditur veten mes më të mëdhenjve të këtij klubi.
Presidenti i klubit Khaldoon Al Mubarak tha se diçka e tillë duhet të njihet publikisht.
“David është një futbollist transformacional, është një lider i heshtur që ka frymëzuar çdo person rreth tij. Statuja e David do të funksionojë si një kujtesë afatgjatë e momenteve të mrekullueshme që ai na ka dhënë, jo vetëm si një futbollisht i mrekullueshëm por dhe si një ambasador që ka përfaqësuar me dinjitet klubin tonë të futbollit gjatë gjithë kohës”, tha Al Mubarak për mesfushorin që ka luajtur 125-herë me kombëtaren e Spanjës.
Statuja do të prezantohet vitin që vjen së bashku me një tjetër dedikuar mbrojtësit legjendar të klubit Vincent Kompany i cili sivjet hoqi dorë nga futbolli i luajtur.
Silva erdhi në Manchester nga klubi spanjoll i Valencias në 2010. Ai ka luajtur në 309 ndeshje të Premier League dhe ka qenë figurë qëndrore në katër titujt e fituar nga klubi në vitet 2012, 2014, 2018 e 2019.
Tashmë 34-vjecari pritet të nënshkruajë një kontratë me klubin italian Lazio.
Top Channel