Kakavija, Meta: Mijëra qytetarë u lanë të braktisur, asnjë nuk i informoi qytetarët për kushtet me kufirin grek

17/08/2020 13:34

Në një konferencë shtypi me gazetarët, presidenti i Republikës, Ilir Meta foli sa i takon çështjes së Kakavijës, ku për disa ditë pika kufitare në fjalë u pushtua nga një radhë kilometrike automjetesh, që prisnin të kalonin në vendin fqinj,

“Mijëra qytetarë u lanë të braktisur në kushte të vështira në kufij. Duhet të kalojmë me sa më pak kosto situatën e pandemisë. Situata në Kakavijë ka të bëjë me përgjegjësitë e paushtruara në kohë nga qeveria. Është përgjegjësia e qeverisë të kujdeset për shtetasit e saj. Çfarë informacioni iu është dhënë qytetarëve që udhëtojnë jashtë vendit? A ka patur një njoftim zyrtar nga MEPJ për numrin e qytetarëve që lejohen? Një qeveri e përgjegjshme i parandalon situata të tilla. Situata të tilla rrezikojnë shëndetin e mijëra qytetarëve. Asnjë nuk i informoi qytetarët për kushtet që duheshin për të hyrë në Greqi. Kërkoj ndjesë në emër të shtetit shqiptar për të gjithë qytetarët që për ditë të tëra kaluan momente tepër të vështira në pikat e kalimit kufitar me Greqinë. Qeveria fajësoi vetë qytetarët për krijimin e radhëve të gjata. Jemi vend rekord për emigrantët ndaj të gjithë, e në mënyrë të veçantë kryeministri, ministrat e linjës, dhe strukturat kryesore duhet të ndjekin me përparësi lëvizjen e shtetasve tanë, të freskojnë informacionin për lëvizjen jashtë kufijve dhe të sigurojë tampon falas për emigrantët, një tampon prej 120 eurosh është i papërballueshëm, të subvencionojë tamponët dhe të marrë masat që situata të mos përsëritet në asnjë pikë të kalimit të kufirit. Mungon përgjegjësia për të dhënë mbështetjen e duhur për sektorin e shëndetësisë. I gjithë personeli po lufton për të përballuar këtë situatë. Si presidenti kam bërë çdo përpjekje për të bashkëpunuar me qeverinë dhe çdo institucion që kjo sfidë e madhe të ketë sa më pak kosto.”

Top Channel