Turqia ka njoftuar se anija e saj e shpimit Yavuz do të vazhdojë punimet për kërkimin e hidrokarbureve në brigjet e Qipros.

Për punimet që do të zhvillojë anija e shpimit Yavuz, Turqia njoftoi se ka shpallur një Navtex të ri (njoftim për detarët) për periudhën 18 gusht – 15 shtator në zonën e punimeve.

Sipas kësaj anija Yavuz bashkë me anijet Ertuğrul Bey, Osman Bey dhe Orhan Bey do të vazhdojë punimet në Mesdheun Lindor në jugperëndim të Qipros.

Në njoftimin Navtex thuhet se “Rekomandohet fuqimisht që të mos hyhet në zonën e punimeve”.

Pasi Turqia shpalli Navtex për anijen Yavuz, administrata e Qipros greke mëngjesin e sotëm publikoi një “kundër-Navtex”.

Sipas radios qipriote-greke, administrata e Qipros greke me “kundër-Navtex-in” e publikuar nga “Qendra e Koordinimit të Kërkim-Shpëtimit” në Larnaca ka pretenduar se Navtex-i i ri i Turqisë është “i pa-autorizuar dhe i pavlefshëm dhe se aktivitetet e anijes Yavuz dhe anijeve të tjera në rajon janë të paligjshme”.

Turqia më parë ka njoftuar se anija për kërkime sizmike Oruç Reis bashkë me anijet Ataman dhe Cengiz Han do të kryejnë punime sizmike në zonën për të cilën është shpallur më parë në brigjet e Qipros. Punimet e Oruç Reis u njoftuan me një Navtex se do të vazhdojnë deri më 23 gusht. /AA/

Top Channel