Teknologjia e re e prodhimit të vaksinës për COVID-19

16/08/2020 02:41

Një laborator në Londër është duke përdorur teknologji të sofistikuar, duke përfshirë një robot, për studimin e vaksinës. Roboti kryen teste për të zbuluar antitrupa në gjakun e pjesëmarrësve në provat klinike. Një ekip shkencëtarësh i Universitetit Imperial të Londrës para disa muajve filloi prodhimin e një prototipi të vaksinës kundër koronavirusit. Tani vaksina po provohet në një shkallë më të gjërë.

Ekipi, i udhëhequr nga specialisti i sëmundjeve infektive Robin Shattock, ka vaksinuar tashmë 120 vullnetarë të shëndetshëm dhe tani është në proces të vaksinimit të 200 të tjerëve.

“Jemi mësuar të punojmë vetëm në rreth 50 njerëz, tani po punojmë me 350 njerëz dhe më pas potencialisht me disa mijëra të tjerë. Ne po zgjerojmë provat klinike dhe po përpiqemi të bëjmë gjithçka sa më shpejt dhe në mënyrë sa më efikase. Jemi shumë të ngarkuar, nuk mendoj se kemi qenë ndonjëherë më të zënë, por përfshirja në këtë proces është një gjë e mirë “, thotë Jessica O’Hara, punonjëse në laboratorin e Spitalit St. Mary, të Universitetit Imperial të Londrës.

Ekipi i shkencëtarëve në Universitetin Imperial po përdor një roboti të ri, i cili kryen teste për të zbuluar antitrupa në gjakun e pjesëmarrësve në provat klinike.”Pra, këtu (në laborator) ne po testojmë antitrupat e vullnetarëve për të parë nëse ato po ngjiten në sipërfaqen e proteinës së virusit. Pasi na duhet të analizojmë shumë mostra, shumë vullnetarë, ne përdorim një robot për ta bërë procesin shumë më të lehtë dhe më efikas”, tha specialisti i sëmundjeve infektive, Robin Shattock.

Ky ekip, ashtu si kompania amerikane Moderna dhe ajo gjermane Curevac, po përdor një teknologji të re të quajtur mRNA.Vaksinat tradicionale hyjnë në tre kategori. Një vaksinë e gjallë ose e dobësuar e cila përmban në vete një pjesë të virusit për të nxitur një reagim të fortë të antitrupave. Llojet e tjera të vaksinave përdorin një formë të dobësuar të virusit, ose thjesht proteinën e tij për të nxitur një reagim të sistemit imunitar. Ndërsa, vaksinat e acidit ribonukleik (RNA) nuk përmbajnë virusin, mRNA është një molekulë që udhëzon ADN-në tonë që të prodhojë proteina nga rritja e sasisë së koronavirusit. Kjo metodë e shkurton kohën e prodhimit të vaksinës.

Qëllimi është të mashtrojmë trupin në mënyrë që ai të prodhoj proteina të virusit për të nxitur reagimin e sistemit imunitar në krjimin e një mekanizmi mbrojtës përmes prodhimit të antitrupave që shpresojmë se do ta vënë nën kontroll koronavirusin, thonë studiuesit.Suksesi i vaksinës matet me reagimin e antitrupave ndaj koronavirusit.

“Kur injektojmë acidin ribonukleik (RNA), kur të futet në qelizat e muskujve, ai krijon kopje të shumta udhëzimesh për prodhimin e më shumë proteinave. Pra, në vend të një apo dy kopjeve, përmes kësaj vaksine mund të prodhohen qindra ose mijëra proteina dhe për këtë arsye ne mund të përdorim një dozë më të vogël”, shpjegon zoti Shattock.

Pavarësisht zgjerimit të provave klinike, Univerisiteti Imperial është akoma shumë prapa kompanisë amerikane Moderna, e cila tashmë është në fazën e tretë të provave klinike me 30,000 njerëz.Specialisti i sëmundjeve infektive, Robin Shattock këmbëngul se qëllimi nuk është të jesh i pari, por të vazhdohet puna derisa ata të jenë në gjendje të prodhojnë një vaksinë me dozë të ulët, me kosto të ulët, e cila mund të përdoret në një shkallë globale.”Disa nga këto vaksina të para, veçanërisht ajo e kompanisë Moderna, ka të ngjarë të jenë jashtëzakonisht të shtrenjta. Sigurisht të papërballueshme për shumë vende me të ardhura më të ulëta.”

Universiteti Imperial thotë se ka marrë 52 milionë dollarë nga qeveria britanike dhe gjashtë milionë dollarë nga nisma të ndryshme filantropike për zhvillimin e vaksinës.Zoti Shattock thotë se të gjitha ekipet e përfshira në studimin e koronavirusit po mësojnë nga rezultatet e njëri-tjetrit, dhe në fund, disa lloje të ndryshme të vaksinave mund të jenë të nevojshme për të kontrolluar virusin dhe ato mund të duhet të jepen një herë në vit. Rusia është bërë vendi i parë që ka miratuar përdorimin e një vaksine të koronavirusit, por vendimi i njoftuar të martën u prit me skepticizëm ndërkombëtar dhe shqetësim sepse vaksina është testuar vetëm në dhjetra njerëz./VOA

Top Channel