Rama: S’ka arsye për t’i rënë grekut/ “S’duhet ta përdorim këtë ngjarje për nacionalizëm, situatë e ngjashme me Bullgarinë”

16/08/2020 19:39

Sikurse edhe një ditë më parë, kryeministri Edi Rama përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale thotë se një situatë e ngjashme me atë tonën në pikat kufitare është duke ndodhur edhe në kufirin me Bullgarinë.

“Në kufirin greko-bullgar të Kulatas, radha dje ishte plot 5 kilometra dhe askush në Bullgari nuk kërkon hapjen e ndonjë lufte bullgaro-greke, ashtu sikundër i njëjti problem shfaqet edhe në pika të tjera kufitare, ndërkohë që për shembull, në pikën kufitare të Kapikulesë në Turqi, numri i makinave në radhë ishte shtrirë dhjetëra kilometra. Po edhe andej nuk janë dëgjuar as thirrje për luftë, as thirrje për djegie njerëzish të gjallë”

Të gjithë atyre të cilët kanë shpërthyer në lum akuzash ndaj Greqisë kryeministri u thotë se situate nuk ka  ndonjë lidhje me ndonjë qasje a sjellje antishqiptare të fqinjëve tanë

“Unë nuk dua të justifikoj asgjë, sepse asgjë nuk ka këtu për të justifikuar, e për më tepër e kam treguar se kur është puna për të ngritur zërin në emër të Shqipërisë, nuk ia përtoj askujt dhe asnjëherë. Ama në këtë rast, nuk ka asnjë arsye “për t’i rënë grekut” dhe me palën greke kemi qenë e jemi non stop në komunikim, e ata kanë bërë e po bëjnë çfarë munden për ta lehtësuar lëvizjen, ndërkohë që kanë marrë vendimin të testojnë me tampon çdokënd, shqiptar, anglez, amerikan, kinez e madje edhe grek, që hyn në Greqi.”

Për  ata që do të udhëtojnë drejt Greqisë në ditët në vijim kryeministri ka këtë mesazh.

“Nga nesër madje, Greqia do të ketë kuota hyrjeje në çdo pikë kufitare dhe s’do lejojë askënd, në asnjë pikë, të hyjë përtej kuotës së caktuar. Prandaj kush shkon në Greqi, për më tepër që shumica dërrmuese e atyre që janë apo shkojnë drejt Kakavijës këto ditë, janë rezidentë në vendin fqinj, duhet të informohet si duhet dhe të mos kërkojë nga shteti shqiptar as arsyet pse shteti grek ka zgjedhur këtë strategji për të luftuar Covid-in, as që të çajmë kufirin grek me forcë apo të “trashim zërin” ndaj Greqisë për një vendimmarrje sovrane e legjitime të shtetit grek, mbi regjimin antiCovid në kufijtë e vet.”

 

 

 

 

 

Top Channel