Test para 72 orëve/ Mali i Zi, rregulla të reja në kufi

15/08/2020 10:43

Mali i Zi do të vazhdojë të mbajë hapur kufirin me Shqipërinë, por sërish me kushtin që çdo udhëtar të posedojë një test negativ nga Covid-19.

Në fakt ky rregull është në fuqi që nga java e kaluar por tashmë është shtuar afati kohor kur duhej të ishte bërë testi nga 48 orë para se të kalohej kufiri në 72 orë.

Ky njoftim u dha të premten nga  drejtori i Institutit për Shëndetin Publik në Mal të Zi, Boban Mugosa. Ai tha se vendimi është marrë pasi situata epidemiologjike në këto vende është përmirësuar ndjeshëm. Po kështu, vendimi u mor edhe për arsye të sezonit turistik.

Kështu, Mali i Zi do të hapë kufijtë me disa shtete të tjera si Bosnja, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vendet e Evropës Perëndimore.

Sipas rregullave të reja për të hyrë në Malin e Zi qytetarët shqiptarë duhet të plotësojnë këto kushte:

1.Të kenë një rezultat PCR negativ nga koronavirus ose një rezultat pozitiv të testit të antitrupave koronavirus të klasës IgG të marra nga testi serologjik ELISA.

2.Testet duhet të jenë lëshuar nga një laborator i regjistruar dhe nuk janë më të vjetër se 72 orë në momentin e hyrjes në Mal të Zi;

3.Që në periudhën 15 ditë para hyrjes në Mal të Zi ata nuk kanë qëndruar në asnjë prej vendeve nga e cila nuk lejohet hyrja në Mal të Zi.

Top Channel