Shpërdorimi i ushqimit/ Kina nis operacionin ‘pjata bosh’

15/08/2020 02:28

Lideri kinez, Xi Jinping ka nisur një fushatë që ka në shënjestër një armik të ri të vendit: shpërdorimin e ushqimit.“Shpërdorimi është i turpshëm”, tha Xi në një fjalim duke e quajtur sasinë e ushqimit që përfundon në mbeturina në vend, shokuese dhe shqetësuese.

“Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për krizën e sigurisë së ushqimit. Pasojat e pandemisë së Covid-19 këtë vit, kanë bërë që alarmi të bjerë fort”, tha ai. Përqendrimi tek shpërdorimi i ushqimit, vjen pas përmbytjeve masive në vend që rrënuan të mbjellat dhe çuan në rritjen e çmimit të ushqimeve, e kjo pasi koronavirusi paralizoi ekonominë kineze.

E përballur me tensione me SHBA dhe vende të tjera, siguria ushqimeve, gjithnjë prioritet për Kinën, është bërë akoma më e rëndësishme. Rreth 20 deri në 30 për qind e drithërave në Kinë importohen. Autoritetet lokale hynë menjëherë në aksion me propozime që kishin në shënjestër shpërdorimin e ushqimeve ose operacionin pjata bosh, një nismë e përmendur që në 2013 nga presidenti Xi.

Ato i kërkuan restoranteve të qytetit të ndjekin një sistem të quajtur porosia minus një, sipas të cilit, një grup duhet të porosisë një pjatë më pak se numri i personave në tavolinë. Restorantet ndërkohë duhet të ofrojnë porcione të përgjysmuara ose më të vogla si edhe të ofrojnë kuti për të marrë me vete atë që mbetet.

Top Channel