Nën ritmet xhaz dhe suing (jazz &swing), po dhe të himnit kombëtar të interpretuar me kitare elektrike, parada RETRO e mjeteve të koleksionit historik shqiptar mbërriti në Durrës.
Sheshi kryesor në qendër të qytetit antik dhe më pas rrugët e qytetit u pushtuan mbrëmjen e së premtes nga automjetet e shekullit të kaluar, duke përcjellë emocion dhe argëtim të dashamirësit e tyre, po dhe qytetarë e pushues të grupmoshave të ndryshme.
Në paradë merr pjesë dhe Bledi, një i ri nga Durrësi i apasionuar pas makinave të vjetra dhe tejet krenar për automjetin Mercedez Benz Replica të 1929-s që zotëron.
”Shumë i apasionuar pas makinave të vjetra, po nuk kisha një derisa gjeta këtë makinë në Amerikë, Miccigan. Ishte një këmbëngulje e madhe për ta blerë, pasi babai nuk pranonte. Dhashë makinën time dhe shtuam disa lekë të tjera dhe blemë këtë makinë që e disponoj prej 10 vjetësh.”
Të konsideruara makina luksi dhe antikuar, këto makina kërkojnë shumë shërbim, ndërsa tërheqin gjithnjë vëmendjen e njerëzve që nuk e humbasin rastin të bëjnë dhe foto me to, si një kujtim nga kohët e shkuara.
”E përdor vetëm për ndonjë xhiro me familjen në fundjavë në qytet. Merr shumë vëmendje. Janë shumë veta që ndalojnë të bëjnë foto dhe që ia lejojmë të gjithëve normalisht.”
Në këtë sezon të pazakontë turistik, parada solli gjallëri dhe nostalgji, përmes muzikës dhe automjeteve të veccanta, duke zgjuar dhe pasione e shijuar kujtime të pajetuara.
Top Channel