Rreth 10 tonë peshk janë gjetur të ngordhur në liqenin Enghien les Bains në Val d’Oise, në Francën veriore, për shkak të valës së fundit të të nxehtit që ka goditur rajonin. Jean Pierre Enjalbert, president i SIARE, sindikatës që merret me menaxhimin e ujërave lokalë tha se i nxehti dhe mungesa e ujit të pastër dhe të freskët ka ulur nivelin e oksigjenit në liqen duke shkaktuar ngordhjen e peshqve.
Niveli i këtij liqeni artificial me 40 hektarë sipërfaqe, ka rënë me rreth 20 centimetra dhe temperatura e ujit i është afruar 29 gradëve Celsius gjatë valës së të nxehtit. Autoritetet tani kanë vënë në funksion një sistem për futjen e oksigjenit në ujë dhe planifikojnë edhe ndërtimin e një bazeni filtrimi.
Aktivistët thonë se kjo katastrofë ishte e parashikueshme dhe kanë kërkuar që sisteme pompimi të ngrihen menjëherë duke patur parasysh se temperaturat do të vazhdojnë të rriten. Ata janë të shqetësuar për një katastrofë të dytë që mund të përfshijë edhe zogjtë lokalë, kjo për shkak të cilësisë së keqe të ujit. Liqeni është i njohur për specie si krap, mlysh dhe ngjala.
Top Channel