75-vjetori i kapitullimit/ Japonia, keqardhje për luftën

15/08/2020 12:27

Perandori i Japonisë, Naruhito ka shprehur keqardhje të thellë në lidhje me veprimet e vendit të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore në përvjetorin e 75-të të dorëzimit të saj.

“Unë sinqerisht shpresoj që tmerret e luftës të mos përsëriten më kurrë”, tha ai në një ceremoni.

Perandori Naruhito mbajti një fjalim të shkurtër në një ceremoni përkujtimore në Tokjo, që ishte sigurisht e reduktuar për shkak të koronavirusit. Rreth 500 persona morën pjesë në të krahasuar me mbi 6000 që ishin të pranishëm vitin e kaluar, dhe maskat mbrojtëse ishin të detyrueshme. Naruhito, 60 vjeç, e mori fronin në maj të vitit të shkuar nga babai i tij që u bë i pari monark që abdikonte nga froni në më shumë se 200 vjet.

Ndërkohë, kryeministri Shinzo Abe, premtoi se ajo tragjedi nuk do të përsëritet kurrë. Kryeministri e shënoi ditën duke dërguar një kurorë në një memorial të polemizuar lufte, por nuk e vizitoi personalisht atë. Sidoqoftë, katër ministra vizituan memorialin Yasukuni në një lëvizje që ka gjasa të zemërojë Kinën dhe Korenë e Jugut.

Është hera e parë në katër vite që politikanë të këtij rangu vizitojnë memorialin që nderon numrin e figurave të larta të dënuara për krime lufte, por edhe viktimat e luftës në vend.

 

 

Top Channel