Vaksina e Covid-19/ Komisioni Evropian do blejë deri në 400 milionë doza, marrëveshje me gjigantin farmaceutik britanik

14/08/2020 17:05

Komisioni Evropian ka pranuar të blejë deri në 400 milionë doza të një vaksine të ardhshme nga gjiganti farmaceutik britanik, AstraZeneca.

Në një deklaratë, komisioni tha se do t’i përvetësojë dozat në emër të 27 vendeve anëtare të unionit.

Ndër të tjera, thuhet se vendimi për të mbështetur vaksinën e AstraZeneca-s është bazuar në “një qasje të shëndoshë shkencore … shpejtësinë në shpërndarjen në shkallë, koston, ndarjen e rreziqeve, përgjegjësinë dhe kapacitetin e prodhimit, sa i takon gjendjes për të furnizuar BE-në”.

Njoftimi pason një marrëveshje të mëparshme me firmën e farmacisë, të arritur në qershor, nga Aleanca Vaksina Përfshirëse e Evropës – një grup i formuar nga Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda për të siguruar doza të vaksinës për vendet anëtare.

Komisioni nuk zbuloi kushtet e marrëveshjes së re, si dhe nuk deklaroi nëse kushtet e marrëveshjes së mëparshme ishin modifikuar.

Top Channel