Pandemia globale/ 20.5 milionë infektime në botë

14/08/2020 11:57

Rastet e koronavirusit në botë kanë arritur në kuotën 20.5 milionë.

Sipas universitetit Johns Hopkins, shifra ekzakte është 20.532,835 dhe nga fillimi i pandemisë numërohen më shumë se 750 mijë viktima dhe afro 13 milionë të shëruar. SHBA vazhdon të kryesojë për sa i takon numrit të rasteve dhe viktimave, e ndjekur nga Brazili.

Në gjermani ndërkohë janë regjistruar 1445 raste pozitive në 24 orë dhe kjo shifër përbën një rekord të ri që nuk arrihej që nga muaji maj. Veçanërisht të goditur në Gjermani janë Berlini, Nordren Vestfalia dhe Hamburgu. Ministri i shëndetësisë, Jens Spahn, një ditë më parë e cilësoi rritjen e rasteve në vend si shqetësuese dhe zëdhënësi i Kancelares Angela Merkel rinovoi apelet për respektim rregullash.

Qeveria është e shqetësuar për praninë e vatrave mesatare dhe të vogla në pjesën më të madhe të landeve. Nga fillimi i pandemisë, janë 219964 rastet e infektimit dhe 9211 viktimat në gjermani. Spanja ndërkohë regjistron një tjetër rritje të rasteve. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 2935 raste me Madrin që është qyteti më i goditur i pasuar nga vendet baske dhe Aragona.

Shifra ditore e infektimeve vazhdon të rritet edhe në Francë, me 2524 raste të raportuara një ditë më parë dhe 17 viktima.  Në SHBA ndërkohë, në 24 orët e fundit janë regjistruar thuajse 56 mijë raste të reja dhe 1500 viktima të koronavirusit. Ky bilanc ka bërë që kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale, Joe Biden të kërkojë që maska mbrojtëse të bëhet e detyrueshme në të gjithë vendin. Trump është kundërpërgjigjur duke thënë se Biden po politizon pandeminë dhe po injoron provat shkencore. Bërja e detyrueshme e maskës mbrojtëse, sipas Trump, shkon përtej fuqive presidenciale.

Në Brazil në anën tjetër, situata mbetet shumë shqetësuese me mbi 1262 viktima dhe 60 mijë raste të reja në 24 orët e fundit. Ndërkohë që presidenti Bolsonaro deklaron sërish se klorokima mund të kishte evituar shumë vdekje. Edhe Rusia ka një bilanc të rënduar me mbi 5 mijë raste të reja të konfirmuara në 24 orët e shkuara dhe 124 viktima.

Top Channel