Bashkimi Evropian i konsideron Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner të rëndësishëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi thotë se ndajnë qëllimet e njëjta në rajon.

Kështu ka reaguar BE-ja ndaj njoftimit për takimin e liderëve të Kosovës dhe Serbisë, të thirrur për 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

NË BE thonë se “kanë marrë në dijeni këtë njoftim” duke rikujtuar se mbështetja e SHBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja është e mirëseardhur.

“Kur është në pyetje përfshirja e palëve të treta në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të pajohen për një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve të tyre. Ne mirëpresim nismat që mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në këtë drejtim ne kemi marrë në djeni njoftimin e ambasadorit Grenell”, tha për Radion Evropa e Lirë, Nabila Masrali, zëdhënëse e BE-së për Politikë të jashtme dhe siguri.

Zëdhënësja e BE-së rikujtoi se rruga drejt bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë kalon përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Në fund të këtij muaji në Bruksel pritet të zhvillohet edhe një takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut në nivel të ekspertëve. Ndërsa në fillim të shtatorit do të zhvillohet edhe një raund i bisedimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Hoti e Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë për çështje ekonomike

Burimet e BE-së pohojnë se nga vjeshta presin një rritje të dinamikës së procesit të dialogut dhe synojnë që takimet e liderëve të zhvillohen dy herë në muaj, ndërsa delegacionet e ekspertëve të takohen çdo javë.

Diplomatët në Bruksel vazhdojnë të insistojnë se sa i përket normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, i vetmi dialog është ai i cili zhvillohet në Bruksel dhe se për këtë BE ka marrë edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deri më tash, prej kur ka rifilluar dialogu në Bruksel, ka pasur një takim të nivelit të lartë me praninë fizike të Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë dhe një virtual përmes video konferencës. Ndërsa në dy takime të ekspertëve janë diskutuar temat e të pagjeturve, të zhvendosurve, bashkëpunimit ekonomikë dhe pronësisë.

Delegacioni i Kosovës ka insistuar se këto nuk janë takime teknike por diskutime politike për draftimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse e cila, sipas delegacionin e Kosovës, duhet të përmbyllet me njohjen reciproke. Delegacioni i Serbisë i ka quajtur si të pavërteta pohimet se po diskutohet për njohjen e Kosovës dhe ka insistuar që të zbatohen disa marrëveshja të arritura më herët në dialog, sidomos ajo për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Bashkimi Evropian vazhdon të jetë shumë i mbyllur sa i përket përmbajtjes së dialogut duke përsëritur në vazhdimësi vetëm se qëllimi është arritja e një marrëveshjeje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, ligjërisht obliguese, e cila do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë.

Top Channel