Gjermanët e Leipzig vijojnë të bëjnë befasinë në Ligën e Kampionëve, pasi mbrëmjen e sotme kanë mposhtur me rezultatin 2-1 Atleticon e Madridit dhe është kualifikuar për në gjysmëfinalet e kompeticionit, duke shënuar një arritje historike.

Në stadiumin “Jose Alvalade” të Lisbonës, djemtë e Nagelsmann morën kontrollin e takimit që në fillim, por zhbllokuan sfidën vetëm në minutën e 51-të, kur spanjolli Olmo finalizoi me kokë një aksion mjaft të bukur.

Los colchoneros u përpoqën të reagojnë dhe arritën të fitojnë një penallti në minutën e 72-të, të cilën e ekzekutoi saktë talenti portugez Joao Felix, duke baraspeshuar shifrat.

Por kur kishin mbetur edhe dy minuta nga fundi i kohës së rregullt, Angelino shërbeu për Tyler Adams, i cili lëshoi një goditje të fortë nga distanca dhe topi i devijuar u ndal për herë të dytë në rrjetën e portës së Jan Oblack.

Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi fitoren e Leipzig, që siguron kështu kalimin në gjysmëfinale, ku e pret përballje me skuadrēn kampione të Francës, Paris Saint Germain.

Top Channel