Muzikali Diana do të transmetohet në Netflix, vitin e ardhshëm, para debutimit të tij zyrtarë në Broadway. Kjo është një lëvizje e paprecedentë për industrinë e argëtimit që po përballet me kufizimet e koronavirusit.

Teatrot e Broadwayt mbeten të mbyllura gjatë pandemisë dhe mund të mos hapen këtë vit – thonë ekspertët. Muzikali, i bazuar në historinë e jetës së princeshës Diana, tani nuk do të mund të shfaqet në Broadway të paktën deri më 25 maj të vitit të ardhshëm.

Një version i muzikalit, me kastin origjinal të Broadway, do të filmohet pa audiencë në Nju Jork.

Produksioni që ishte planifikuar të shfaqej në mars, ishte në fazat e fundit të tij në kohën kur teatrot u mbyllën në SHBA. Kjo është hera e parë që një show i Broadway shkon direkt në ekranin e vogël para debutimit teatral.

Të tjera show të Broadway po ashtu janë transmetuar në streaming por vetëm pasi ishin performuar live për audiencat. Shërbimi Disney+ ka nisur transmetimin e një versioni të filmuar të Hamilton, një hit i Broadway më herët këtë verë.

Kompanitë e produksionit kanë hezituar jo pak të vendosin nëse do të shfaqin versionet e filmuara të shouve të tyre ndërkohë që produksionet vazhdojnë në teatro, e jo më para se ato të fillonin shfaqjet. Shqetësimi është se pasi audiencat ta kenë parë versionin e filmuar në shtëpi, nuk do të duan të shohin versionin live në një teatër. Por industria po ndryshon këndvështrim dhe po adaptohet me mbylljen e teatrove duke kërkuar alternativa online.

Ekspertët thonë se versioni i filmuar mund ta vendosë një show në radarin e audiencës dhe ta ekspozojë atë në të gjithë globin. Industria e filmit përballet me të njëjtën dilemë, me shumë studio që po zgjedhin ti publikojnë filmat e tyre në shërbimet streaming në vend të kinemave. Disney vendosi ta bëjë këtë me Mulan, që do të debutojë në platformën Disney+ duke anashkaluar sallat e kinemave në SHBA.

 

Top Channel