Nga dhuna ndaj bashkëjetueses te përndjekja e një 18-vjeçareje/ 3 të arrestuar në Tiranë

12/08/2020 14:13

Tre persona kanë rënë në pranga në Tiranë.

Një prej tyre shkeli urdhrin e mbrojtjes dhe ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses. Bëhet fjalë për K. D., 31 vjeç, nga fshati Ballaj, Rrogozhinë.

Po kështu, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. C., 41 vjeç, për veprën penale “Përndjekja”, pasi ka përndjekur një 18-vjeçare, në mënyrë të vazhdueshme.

Gjithashtu në pranga ra edhe D. V., 23 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, pasi në rrugën “Pjetër Bogdani”, gjatë kontrollit fizik iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një dorezë metalike.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel