Ekspozita që ngeli pa u hapur! Artistët flasin për skulptorin Arben Bajo, humbi jetën nga Covid-i

12/08/2020 15:14

Takimin e fundit me Arben Bajon e kujtoj shumë mirë.

Nuk ka kaluar më shumë se një muaj kur isha në studion e tij. Nuk e kishim menduar kurrë që jeta e tij do të zgjaste kaq pak. Bajo nuk ndodhet më midis nesh dhe kjo është një dhimbje shumë e madhe për të gjithë kolegët, miqtë, studentët, ata që e njohën dhe mbi të gjitha për familjarët. Arben Bajo do të mbetet një nga skulptorët më të spikatur të dekadës së fundit.

“Bajo nuk vishte maskë, sepse kishte qejf gjithmonë te thoshte të vërtetën. Bajo donte të përçonte frymën e tij dhe ja arriti qëllimit. Plastikën e përcolli edhe tek studentët e vet dhe mendoj që në këtë pikë duhet të jemi shumë të lumtur”, shprehet Helidon Haliti.

“Ekspozitën e parë në Tiranë ja kam prezantuar unë ne galerinë e arteve. Arbenin nuk e kishte dëmtuar emigracioni. Talenti i tij kishte marrë zhvillim. Ka hapur gjashtë ekspozita”, rrëfen Thoma Thomai.

“Skulpturat e Arben Bajos kanë zhdërvjelltësi dhe vrull. Disa punë te tij janë kaq të bukura sa mund t’i vësh në çdo muezum të botës dhe rrinë shumë mirë!”- deklaron Kreshnik Xhiku.

Skulptori, pedagogu dhe artisti Arben Bajo do të mbahet mend për veprat e shumta, për punën e palodhur me studentet. Imazhin e tij me biçikletë rrugës për tek studio do ta kujtojnë të gjithë ata që e njohën.

“Ne nuk kemi pare akoma veprimtarinë e Bajos esencialisht, sepse ai vetë është shprehur që ka një gjysmë krijimtarie në kallëpe negative, të cilat nuk i la nxjerrë në pozitiv”, shton Haliti.

“Më kujtohet biseda e fundit me të; më tha që po përgatitej për një ekspozitë të re, por ja prishi punën pandemia. Do kisha dëshirë që atë elspozitë mos e lenë pa hapur kolegët dhe familja e tij”, tha Thomai.

“Takova disa studentë këto ditë dhe janë të gjithë të shokuar, të helmatisur për atë që i ka ndodhur profesorit të tyre. Më vjen keq sidomos për vajzën e vet! Ai ka lënë një vajzë”, shprehet Xhiku.

Skulptura mbeti deri në fund kryefjala e ligjëratave dhe sigurisht punës së tij!

Top Channel