Mendoi se po e kalonte COVD-19 pa simptoma, 21-vjeçari tregon i tronditur: Për pak sa nuk vdiqa…

11/08/2020 17:48

Pandemia e COVID-19 na ka treguar që të jesh i ri dhe i shëndetshëm, jo detyrimisht je imun ndaj virusit.

Një rast i ngjashëm është dhe i 21-vjeçarit Spencer Rollyson, i cili mendoi se po e kalonte pa simptoma infektimin me virusin korona, por shumë shpejt e gjeti veten pranë vdekjes.

Në një intervistë të gjatë për CNN, i riu ka treguar se fillimisht simptomat nuk ishin shumë agresive tek ai, e madje virusi ishte paraqitur si një ftohje e lehtë. Por me kalimin e ditëve gjendja e tij nisi të përkeqësohej, derisa u shtrua në njësinë e kujdesit intensiv.

“Asnjëherë nuk e kam menduar se si një 21-vjeçar mund të ishte kaq pranë vdekjes. Rreth dy javë e gjysmë pasi isha i infektuar, nisa të ndihem keq dhe u shtrova në spital”, tha 21-vjeçari.

Ai vijoi rrëfimin e tij duke treguar takimin e parë me mjekët. Fillimisht ato i kryen analizat djalit, nga ku rezultoi se antitrupat në organizmin e të riut, ishin përpjekur që të luftonin virusin, por gjatë kësaj kohe kishin dëmtuar dhe organe të tjera, si mushkrit dhe zemrën. Spencer ka arritur të mposhtë virusin, por mjekët i kanë dhënë për të konsumuar disa ilaçe, të cilat duhet t’i marrë vazhdimisht për rreth një vit.
“Virusi pothuajse më mori jetën një muaj më parë. Kjo nuk është një lojë apo trillim, është diçka e prekshme dhe është mes nesh. Unë ju këshilloj që të vendosni maskat dhe të lani apo denzifektoni rregullisht duart”, përfundoi intervistën Spencer.

Top Channel