“Natë me shi sot”/ Artisti i njohur shqiptar në zi, humb babanë: Ti do jesh gjithmonë nota ime e parë!

09/08/2020 17:46

Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare studiuesi dhe kritiku i muzikës, Loro Sata, babai i artistit shqiptar, Vlashent Sata.

Ishte vetë këngëtari, tekstshkruesi dhe kompozitori shqiptar ai që përmes një postimi në rrjetet sociale ndau me ndjekësit e tij, lajmin e trishtë.

“Ti do jesh gjithmone nota ime e pare!
Ti je muzika ime, dashnia per jeten, o i buti im zemermal! Nate me shi sot baba im, po neser me ty ne shpirt prap kam me knu si mke msu ti!
Drite paç o femija ma i bukur qe kam njoft!”, shkroi Sata.

Loro u lind në qytetin e Shkodrës, aty ku dhe kreu vitet e para të shkollës. Studimet e larta i mbaroi në Tiranë, në “Institutin e Lartë të Arteve të Bukura”, atë që sot njihet si “Akademia e Arteve”. Pas mbarimit të studimeve u emërua mësues muzike në dy fshatra të rrethit të Lezhës, në Shëngjin dhe Ishull Shëngjin, pastaj si përgjegjës i vatrës së kulturës po në Shëngjin dhe përfundimisht si përgjegjës muzike në shtëpinë e kulturës dhe të krijimtarisë popullore “Manush Alimadhi” të këtij rrethi.

Pas përmbytjes që sollën shndërrimet demokratike në vend u emërua inspektor i kulturës dhe i arsimit te Komitetit Ekzekutiv Pluralist i Rajonit Numër Një. Lëvroi gjerësisht shënimin kritik me tematikë të caktuar në thellim e në kërkim të karakterit kombëtar, temë kjo e preferuar prej tij. Krijimtaria e tij është mjaft e gjerë. Ai ka realizuar shumë artikuj studimorë dhe kritikë, si dhe ka shkruar edhe disa libra. I ndjeri Loro Sata u përcoll për në banesën e fundit ditën e sotme në orën 17:00, në varrezat e Rrmajit në Shkodër.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel