Shqetësime në perëndim për nxitimin e Rusisë me vaksinën

08/08/2020 12:24

Rusia ka bërë të ditur tashmë se është gati të bëhet vendi i parë që do të miratojë një vaksinë kundër COVID-19 dhe se ka në plan të nisë vaksinimin masiv në muajin tetor, por pa përfunduar ende provat.

Shkencëtarët në mbarë botën kanë dhënë alarmin se nxitimi në këtë drejtim, mund të ketë pasoja. Moska po e propagandon këtë si një fitore sikurse ajo me Sputnikun, duke iu referuar lëshimit nga Bashkimi Sovjetik të satelitit të parë në botë në vitin 1957. Por injeksionet eksperimentale me vaksinën kundër COVID-19 nisën më pak se dy muaj më parë tek disa dhjetëra njerëz dhe nuk ka asnjë provë shkencore të botuar që mbështet futjen e vonë të Rusisë në garën globale për prodhimin e një vaksine kundër virusit dhe aq më pak që të shpjegojë se pse ajo duhet të konsiderohet si kryesuese e garës.

“Jam i shqetësuar që Rusia po i bie shkurt dhe vaksina që do të dalë mund të jetë jo vetëm e paefektshme, por edhe e pasigurtë”, thotë Lawrence Gostin, një ekspert i ligjit ndërkombëtar për shëndetin publik në universitetin “Georgetoën”.

“Nuk funksionon kështu. … Provat klinike janë ato që kryen të parat. Kjo është vërtet e rëndësishme”, shton ai. Ministri i Shëndetësisë Mikhail Murashko në rusi tha se anëtarëve të “grupeve në rrezik”, siç janë punonjësit e mjekësisë, mund t’u ofrohet që ta bëjnë vaksinën këtë muaj. Ai nuk sqaroi nëse ata do të ishin pjesë e studimit të fazës së 3-të, që thuhet se do të përfundojë pasi vaksina të marrë atë që quhet “miratimin me kusht”.

Doktor Anthony Fauci, specialisti kryesor i sëmundjes infektive në SHBA vuri në dyshim javën e kaluar qasjen e shpejtuar të disa vendeve: “Shpresoj që kinezët dhe rusët ta testojnë vërtet vaksinën përpara se ta shpërndajnë në masë, sepse pohimet se ekziston një vaksinë gati për t’u shpërndarë përpara se të testohet, përbëjnë në rastin më të mirë një problem”, tha ai. Pikëpyetjet lidhur me vaksinën që po zhvillohet nga Rusia, vijnë ndërsa muajin e kaluar SHBA-ja, Britania dhe Kanadaja akuzuan Rusinë se po përdorte hakera për të vjedhur hulumtime rreth vaksinave nga laboratorët perëndimorë.

Top Channel