SHBA, dështojnë bisedimet/ Të papunët e Covid, pa asistencë

08/08/2020 13:03

Një përpjekje e fundit nga demokratët për të ringjallur bisedimet në Kongres për fondet jetike të asistencës financiare nga COVID-19, përfundoi me zhgënjim të premten.

Është bërë tashmë gjithnjë e më e mundshme që ngërçi i Uashingtonit do të nënkuptojë më shumë vështirësi për miliona njerëz që humbasin asistencën e zgjeruar për papunësinë dhe dëme të mëtejshme për një ekonomi të goditur nga pandemia e koronavirusit ende në zhvillim.

“Ishte një takim zhgënjyes”, deklaroi udhëheqësi demokrat në Senat, Chuck Schumer, duke thënë se Shtëpia e Bardhë kishte refuzuar një ofertë të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, për të ulur kërkesat e demokratëve me rreth 1 trilion dollarë. Ai i kërkoi Shtëpisë së Bardhë të “negociojë me demokratët dhe të zhvendosen drejt një pike të mesme.
Mos thoni ose siç duam ne, ose hiç”. Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha se “për fat të keq nuk kemi bërë progres sot”.

Seanca e së premtes pasoi një takim të ndezur të enjten që, për herë të parë hodhi dyshime të vërteta në aftësinë e administratës Trump dhe demokratëve në Kongres për t’u bashkuar rreth një projekt-ligji të pestë në përgjigjeje të pandemisë COVID-19. Një dështim në bisedime do të rrezikonte më shumë se 100 miliardë dollarë për të ndihmuar në rihapjen e shkollave, një raund të ri prej 1,200 dollarësh pagesa direkte për shumicën e amerikanëve, si dhe qindra miliarda dollarë për qeveritë shtetërore dhe lokale për t’i ndihmuar ata të shmangin shkurtimet në personel dhe shërbime, ndërsa tkurren të ardhurat nga taksat.

Top Channel