Protesta e banorëve në fshatin afër Korçës, reagon PD: Denoncojmë indiferencën dhe abuzimin

07/08/2020 13:03

Mbi peticionin e shkruar nga 50 kryefamiljarë të fshatit Barç në Korçë, të cilët kërkonin ujë, kanalizime dhe rrugë ka reaguar Partia Demokratike.

Në një deklaratë për mediat, Viola Tasi, anëtare kryesie u shpreh:

“Kemi ndjekur me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve në fshatin Barç duke konstatuar me keqardhje se kërkesat e atyre banorëve, që jetojnë në një fshat/lagje të Korçës, as 2 km larg qendrës së qytetit, janë qartësisht elementare dhe vazhdojnë të bien në veshin e shurdhër të Bashkisë. Banorët e këtij fshati, të gjendur përballe mungesës së theksuar të ujit të pijshëm, si dhe infrastrukturës urbane, i kanë dërguar Bashkisë Korçë një peticion të firmosur nga rreth 50 kryefamiljarë ku kërkojnë Ujë, kanalizime dhe rrugë. Në vitin 2020, Bashkia e Korçës i detyron njerëzit të dalin në protestë për kërkesa që i takojnë shekullit të kaluar. Diku para një muaji, Bashkia propagandoi me të madhe se po punonte për sistemimin e një rruge të këtij fshati, duke e shoqëruar si gjithmonë me pamje filmike dhe fotografike dhe duke mbledhur aty më shumë fotografë sesa punëtorë . Mjaftoi një shi i vetëm për të shpëlarë makijazhin në fytyrën e plakur të bashkisë dhe për të nxjerrë në pah llumin e propagandës të fëlliqur, që karakterizon jo vetëm Bashkinë e Korçës, por të gjithë qeverisjen e Rilindjes tashmë në agoni. PD Korçë, denoncon neglizhencën, indiferencën si dhe abuzimin që Bashkia shfaq jo vetëm ndaj banorëve të Barçit, por mbi të gjithë territorin administrativ të saj. U bëjmë thirrje të heqin dorë nga propagandat bajate, reklamat mbi punime fallco dhe të marrin seriozisht punën e tyre. Gjithashtu, deklarojmë se do të jemi në mbështetje të të gjithë qytetarëve të Korçës, qofshin në qytet apo në fshat, dhe do të denoncojmë hapur dhe pa dorashka, neglizhencën dhe paaftësinë e kësaj Bashkie dhe Qeverie, që qëndrojnë akoma në pushtet me vota të vjedhura dhe votime moniste.”

Protestë për ujë/ Banorët e fshatit afër Korçës kanë vetëm një orë në ditë

Top Channel