Gjyqtarja Lindita Hoxha duke dalë nga seanca e KPK | Foto : E. Hoxhaj

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Shkodër, Lindita Hoxha është shkarkuar nga detyra.

Hoxha u përball të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan gjetjet për të tri kriteret e vlerësimit, atë të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Sanxhaktari deklaroi gjatë se seancës dëgjimore se subjekti kishte bërë deklarime të pasakta të pasurive dhe burimeve të krijimit.

Gjithashtu u evidentua mungesë dokumentacioni për të provuar një pjesë të të ardhurave dhe burimin e dy huave.

Në seancë u identifikuan edhe dy raste kur subjekti kishte shqyrtuar çështje ku palë ndërgjygjëse kishte qenë një shoqëri ku punonte bashkëshorti, duke ngritur shqetësime për konflikt të mundshëm interesi.

Gjyqtarja Lindita Hoxha tha se me shpjegimet e saj u kishte dhënë përgjigje të gjithë problemeve të ngritura nga Komisioni.

Lindita Hoxha ka një karrierë 27-vjeçare në sistemin e drejtësisë. Prej vitit 2003 ajo ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër. Në vitin e 2019, Hoxha ishte një nga 5 gjyqtarët e Apelit që shqyrtuan çështjen e uljes së masës së dënimit ndaj Dritan Dajtit – një gangster famëkeq i dënuar për vrasjen e 4 policëve të shpallur dëshmorë të atdheut. Hoxha së bashku me ish-kreun e Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha ishin kundër uljes së dënimit të Dajtit, nga dënim të përjetshëm në 25 vjet heqje lirie.

Top Channel