Viti 2020 është një vit jubilar edhe për skuadrën e Teutës e cila fitoi Kupën e Republikës, ashtu si Tirana fitoi kampionatin në vitin e saj jubilar edhe ekipi durrsak kurorëzohet me një trofe.
Jemi këtu me presidentin e e ekipit të Teutës, Edmond Hasanbelli, i cili do të na tregojë më tepër rreth këtij viti me ulje e ngritje, pasi vlen për t’u theksuar se është edhe presidenti më i vjetër i Superligës.
– Sa bukur e the, më i vjetri dhe në fakt, më i vjetri jam. Po kujtoj sot kur kam filluar, ka qenë janar i vitit 1999, kur kryetar Bashkie ishte Arqile Gorreja. Teuta ishte në vendin e fundit me 13 pikë dhe unë e mora në fazë të dytë. Mirëpo ai pasioni i futbollit na mbajti, se me këto mend që kam sot, nuk do të hyja në futboll me atë që kam heq nga ky futboll. Ishte dhe fjalë e madhe, fjala “president” dhe kështu fillova. Por në atë vit ia dolëm, jo vetëm që shpëtuam, por edhe arritëm dhe u ngjitëm në Europë, luajtëm në Kupën “Intertoto”.
– Megjithatë, këtë vit e kurorëzuat me Kupën. Na trego diçka më tepër rreth këtij viti me ulje e ngritje, por që në fund ia dilni të fitoni dhe në vitin e 100-vjetorit të klubit?
– Përveç 100-vjetorit, do të thoja që është diçka e veçantë për qytetin, për ne. Një ndjesi shumë e madhe, pasi ky vit filloi keq për ne, me tërmetin, dhe kur ra tërmeti, të gjithë njerëzit donin të largoheshin nga Durrësi, ca në Itali, në Berat dhe përgjithësisht në jug. Një gjë që do të mbahet mend gjatë. E tmerrshme. Menduam se edhe futbolli iku. Nuk e harroj, që Qeveria në atë periudhë vendosi çadra në stadium, madje unë debatova për këtë gjë, por mendova se futbolli u prish, mbaroi. Madje unë kisha ndeshje me Korçën pas dy javësh. Me fjalë të tjera, kjo Kupë është diçka e madhe për ne, jo se është trofe me vlerë të madhe financiare, por më tepër morale. Një trofe që ndihmoi nje qytet të tërë moralisht, ata të cilët u dëmtuan nga tërmeti, nga koronavirusi, nga gjithçka.
– President në këto 21 vite në krye të Teutës, cilat janë pikat e tua kulmore pozitive dhe për çfarë je pishman?
– Pengje kam shumë. Në 21 vite janë shumë pengje dhe nuk e kam menduar më pare, që do ishte kështu. Peng të madh në vitin 2000, kur ishim në krye të shkëputur nga Tirana dhe në fund e humbëm kampionatin, në ndeshjen në Peqin. Peng kam sezonin në 2013, kur kishim skuadër shumë të mirë dhe barazuam me Kamzën në Durrës. Dhe në atë kohë kisha trajner shumë të mire, Starovën dhe Likën. Por më pas harrohen gjithçka, pasioni na ka mbajt. Por dua të dal te ky sezon, ku gjërat janë disi më ndryshe. Tashmë kemi edhe një ortak, mendojmë që bashkarisht mund të ecim më shumë. Dua ta falenderoj shumë edhe Ardianin, pasi te Kupa ka një meritë të madhe edhe ai.
– Konsiderohesh president Kupash, çfarë ju ka munguar që të merrni kampionatin?
– Mbase duhet pak hile në futboll, nuk e di, mbase dhe kjo. Pavarësisht se na akuzojnë ne presidentëve se tolerojmë. Sigurisht, në futboll ka tolerime, si kudo. Edhe për rastin konkret, për Kupën e Republikës, dëgjova që na toleroi Tirana. Unë nuk e di, por mbase nga që dolën kampion, nuk kishin atë uri për trofe, si e kishim ne. Por kjo s’do të thotë që toleroi Tirana. Ajo është një kupë, është një trofe, ka një vlerë prej 5 milionë lekësh që të gjithë i duan. Po të ishte aq i pasur Ridi, apo Tirana, për të mos e marrë atë Kupë sikur s’ka kuptim
– President gjatë këtij sezoni patët dy trajnerë, si Bledi Shkëmbi dhe Edi Martini. Një sezon që pati luhatje, por u mbyll me trofe dhe besoj me objektiv të arritur.
– Nga që jam kaq vite në futboll, i njoh të dy futbollistë, si Shkëmbin, ashtu edhe Martinin. Madje Shkëmbin e kam marrë vetë te Teuta, kur luante me Skënderbeun në kategorinë e dytë. Madje i kemi paguar para presidentit të Skënderbeut, z. Haruni. Pagova 1 milionë lekë për të, por ai një vit ndenjti dhe iku, e shitëm 100.000 dollarë te Tripoli në Greqi. Ishte shitja e parë, m’u duk shumë. Me Shkëmbin kam pas gjithmonë kontakte me të. Por edhe me Martinin, kam pas marrëdhënie shumë të mira, se ishte dhe më i lezetshëm. “Me ken shkodran tana i ban”, siç thonë. Po e du fort atë. Me Shkëmbin u ndamë se menduam se duhet të dilnim kampion. Bëri një ndeshje të dobët me Kukësin, ku në fakt na penalizoi dhe arbitri, por aty u ndamë miqësisht. Menduam që të bënim një zgjedhje më të mirë dhe faktikisht na eci mirë dhe dua ta falenderoj për Kupën që mori.
– Si e mendon ecurinë e Teutës tani në Kupat e Europës, pasi shpesh krijohet mendimi që klubet shqiptare kanë si objektiv vetëm që të arrijnë të luajnë në Europë, më pas aty ndalen dhe dorëzohen?
– Nuk jam shumë dakord me këtë, edhe pse duhet të theksoj që kur na del një kundështar i fortë përpara, ndoshta është si psikologjike që dorëzohemi. Vjet na ra një skuadër më e dobët se ne dhe besuam se do kalonim. Por nuk ia dolëm dhe e kam pishman atë kualifikim.
– Ky sezon ka qenë dhe sezon i të rinjve në kampionatin shqiptar. Ju keni patur një nga talentët e Superligës, si Sherif Kallaku, i cili u largua nga ju. A është biznes futbolli në vendin tonë?
– Të thashë, që pasioni na ka mbajtur dhe vazhdojmë me ëndërra. Kallaku është një talent i rrallë, që unë kam parë në kaq vite. Kishim shumë kërkesa për Kallakun nga Turqia dhe shtete të tjera, por kjo nga Kroacia ishte më konkrete. Nuk ishte ndonjë shifër kushedi çfarë që u shit. 150.000 euro për Kallakun janë pak dhe jam i bindur që në Kroaci atij vlera do t’i rritet më shumë. Nuk di të them, nëse është biznes futbolli në Shqipëri, por rasti i Skënderbeut është një rast, ku ata që e drejtuan, fituan goxha para. Ndoshta është kjo ajo Korça që na bëri edhe ne të reflektojmë edhe të besojmë më tej.
– Si mendoni, a ndikojnë presidentët te formacione? Ju a keni ndikuar te trajnerët tuaj?
– Unë ndërhyj se e njoh edhe unë futbollin, por varet nga trajnerët nëse dëgjojnë apo nuk dëgjojnë. Ne, me trajnerin diskutojmë për lojën e njërit apo tjetrit. Unë besoj që futbolli nuk është shkencë ekzakte. Ne kemi qenë futbollistë vetë, kam qenë edhe unë futbollist, shoh futboll çdo ditë. Diskutojmë, por nuk themi fut këtë dhe pikë, pra nuk i vemë veton trajnerit.
– Teuta, apo skuadra e qytetit të Durrësit konsiderohet si një vend i qetë për të punuar, në tërësi një ambient i qetë. Kjo për meritë tuajën sigurisht, ndihesh krenar për këtë? Edhe kundërshtarët luajnë qetë futboll.
– Prandaj kam pasion dhe gjithçka lidhet me këtë që thua. Duke pasur pasion futbollin ça kuptimi ka që të bësh të kundërtën. Qetë nuk e di të them, se për trajnerin përgjithësisht nuk ka qetësi shpirtërore, se futbolli ka luhatje. Ndërkohë, sa i përket kundërshtarëve, dua të jem i qetë nga ana e arbitrimit, pasi më akuzojnë shpesh. Unë Armando Dukën e kam mik. Dhe shpesh më akuzojnë, se presidenti është nga Durrësi dhe favorizohem, se mendojnë që është kjo lidhje. Mua më vjen keq kur më favorizojnë arbitrat, pasi ndodh si me këdo. Sepse fjala vjen, unë do luaj në fusha të vështira dhe nuk dua që atje të penalizohem, unë dua drejtësi edhe në Durrës edhe jashtë Durrësit.
– Kaq vite në futboll keni kaluar shumë kolegë, president klubesh të tjerë, që janë akoma apo nuk janë më. Kush ju mungon dhe si i vlerësoni presidentët aktualë?
– Kjo është një pyetje e vështirë, por unë i them gjërat. Kam kaluar vërtet shumë presidentë, por tani më kujtohet ish-presidenti i Vllaznisë, Myftar Çela, që nuk jeton më është një nga ata që mungojnë. Ka qenë i ai Korçës, por janë shumë që kam kaluar. Nga këta aktualët në kam marrëdhënie të mira me të gjithë, por më i vështiri më ngjan Safet Gjici. Unë e kam mik, por në futboll është i vështirë.
– A është futbolli i pastër në Shqipëri, ka aleanca, marrëveshje?
– Mua më duket se kjo skema me 10 ekipe, është e drejtë dhe ku të gjithë janë në garë për diçka, duke evituar aleancat. Megjithatë mund të them që edhe ka histori “e shiti, apo nuk e shiti”. Ne jemi në luftë të madhe nga UEFA dhe nuk janë gjërat kaq thjeshtë sa i flasin njerëzit nëpër kafene, apo nëpër facebook. Kushdo ka bërë ndonjë pisllik do të ndëshkohet, e sigurtë.
– Çfarë note i vini vetes, si president i Teutës?
– Mendoj që kam mangësira shumë dhe futbolli në këto kohë do financa. Ne me ortakun e ri, po përmirësojmë diçka, por në të vërtetë u bë kaq vite që nuk dalim dot me bilanc pozitiv. Për këtë arsye po bëjmë shoqëri aksionere, që të jemi më në rregull me financat.
– Sa para keni shpenzuar me Teutën në këto 21 vite?
– Lëre, të lutem mos ma kujto, se për këtë debatojmë me vëllain dhe familjen. Kur i kujtoj shpenzimet e këtyre viteve, dridhem. Më mirë e lemë.
Top Channel