“Pse i depozituat paratë 5 vjet me vonesë “/ Para vetting-ut Petrit Çomo: Në 1997 pati trazira, në atë kohë nuk…

05/08/2020 11:01

Gjyqtari Petrit Çomo i Gjykatës së Tiranës u përball sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetting-ut përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Xhensila Pine dhe Olsi Komici.

Para trupit gjykues ai tha se: Dua të vë në dukje që jam i vetmi gjyqtar nga presidenti Moisiu me medaljen e mirënjohjes për punën time. Nëna ime Liri Belishova nuk ka qenë subjekt deklarimi pasurie. Kam të ardhura, mes tyre edhe dëmshpërblimet si i burgosur politik. Për dosjen e babait tim iu rimbursuan 2 milionë lekë letra me vlerë në atë kohë”.

Sa i përket pasurive të nënës sime Liri Belishova, ajo i ka administruar vetë të ardhurat. Kur u përpilua deklarata vetting 2017, nëna ime ishte e sëmurë dhe unë përpilova deklaratën me sa mbajë mend unë, mbi shitjen e pronave, kthimin e kompensim të tyre. Ajo trashëgoi gjithashtu prona nga i vëllai, paratë i ka depozituar përherë në bankë dhe nuk di të ketë patur probleme. Prindërit e mi kanë patur të ardhura që prej 1944 , ata kanë punuar dhe në analizën e vitit 2003 ju nuk i keni përfshirë. Analiza financiare juaja është e pasaktë”, tha ai më tej.

Ndërkohë përfaqësues të ONM e pyetën: Ju deklaruat si të ardhura edhe dëmshpërblimin si i burgosur politik nga babai juaj prej 10 mijë dollarë. Pse i depozituat pesë vjet me vonesë?

Çomo: Nuk e di sa e njihni historinë e Shqipërisë, por në 1997 pati trazira, pati shumë njerëz qe i tërhoqën paratë nga banka. Më pas situata u normalizua. Unë i depozitova paratë e babës kur u normalizua situata, në atë kohë nuk ndalohej mbajtja e parave në shtëpi siç është sot që nuk mund të mbash më tepër se 1 milion lekë.

ONM gjithashtu e pyeti edhe për banesën që ju dha familjes së Liri Belishovës dhe Maqo Comos nga enti i banesave pas ndërrimit të sistemit.

Ndërkohë trupi gjykues do ta japë vendimin më 6 gusht.

Petrit Çomo e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar për gati dy dekada si gjyqtar dhe zv.kryetar i Gjykatës së Tiranës. Në vitin 2015, Çomo u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë –detyrë të cilën e mbajti deri në shkrirjen e këtij institucioni.

Çomo është i biri i liri Belishovës dhe Maqo Çomos. Liri Belishova ka qenë anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së, ajo ka qenë një nga drejtueset kryesore të Partisë Komuniste që nga vitet e para të krijimit të saj.

Ndërsa Maqo Çomo ka qenë komisar i Brigadës së 15-të, zv/ministër dhe ministër.

Top Channel