Një studim i shkencëtarëve italianë ka treguar që njerëzit mund të transmetojnë COVID-19 te macet dhe qentë.

Studimi ekzaminoi 540 qenë dhe 277 mace që jetojnë në familje në veri të Italisë, veçanërisht në Lombardi, rajoni i goditur më rëndë nga pandemia.

Studiuesit gjetën antitrupa koronavirusi në 3.4 për qind të qenve dhe 3.9 për qind të maceve, duke treguar që ata ishin të infektuar me virus.

Testimi u krye nga marsi deri në maj të këtij viti. Thomas Mettenleiter, drejtor i Institutit Shtetëror gjerman për Kërkime të Shëndetit të Kafshëve (FLI), tha se rezultatet tregojnë se transmetimi midis njerëzve dhe kafshëve është i mundur.

“Këto rezultate konfirmojnë atë që dimë më parë,” tha Mettenleiter.

Ai shpjegoi se shumica e kafshëve të testuara vijnë nga familjet e prekura nga koronavirusi, që do të thotë se infeksioni në përgjithësi transmetohet nga njerëzit te kafshët.

Por qentë dhe macet nuk luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen e virusit, dhe njerëzit e shëndetshëm nuk duhet të kufizojnë kontaktin me kafshët e tyre, tha Mettenleiter.

Njerëzit e infektuar me koronavirus duhet të bëjnë të kundërtën, përkatësisht, të përmbahen nga kontakti me kafshët shtëpiake, megjithëse deri më tani nuk ka indikacione se kafshët mund të ngordhin nga virusi, theksoi ai.

Top Channel