Numri i viktimave të koronavirusit në Iran, është rreth trefishi i atyre që qeveria e Iranit pretendon, tregon një hetim i shërbimit persian të BBC.
Të dhënat e qeverisë duket se tregojnë se thuajse 42 mijë persona kanë humbur jetën me simptoma të Covid 19 deri më 20 korrik, kundrejt 14405 viktimave që raportohen nga ministria e shëndetësisë.
Numri i të infektuarve po ashtu është thuajse dyfishi i shifrave zyrtare që flasin për 278827 të prekur. Irani është një nga vendet e goditura më rëndë, jashtë kinës.
Javët e fundit ai ka pësuar një rritje të dytë të numrit të rasteve. Viktima e parë e Covid 19 në Iran është regjistruar më 22 janar sipas të dhënave që BBC ka mundur të sigurojë. E kjo është thuajse një muaj para se rasti i parë i koronavirusit të raportohej zyrtarisht atje.
Që në fillimet e shpërthimit të koronavirusit në Iran, shumë vëzhgues vinin në dyshim shifrat zyrtare. Ka pasur po ashtu edhe mos përputhje të të dhënave mes niveleve kombëtare dhe atyre rajonale.
Burimet që i kanë ofruar informacione BBC, thonë se kanë dashur të hedhin dritë mbi të vërtetën dhe ti japin fund lojërave politike me pandeminë.
Top Channel